“Plani, një mundësi për zhvillim të qëndrueshëm, u jep fund praktikave korruptive”

Deklarata/Jamarbër Malltezi hedh poshtë akuzat e Artan Lames
Anëtari i grupit të punës për Programin e PS, Artan Lame kritikoi Planin Rregullues të Tiranës, ndërsa tha se njeriu i cili duhet të bënte oponencën e këtij plani është, Prof. Dr. Jamarbër Malltezi. Anëtari i grupit të Vlerësimit Strategjik Mjedisor, Jamarbër Malltezi reagoi menjëherë pas akuzave të Lames, duke theksuar se Vlerësimi Strategjik Mjedisor (VSM) u hartua nga 5 ekspertë ndër më të mirët në vend, me titujt më të lartë akademikë të Shqipërisë. Sipas tij, plani krijon mundësinë për zhvillimin e qëndrueshëm të qytetit, duke i dhënë fund praktikave korruptive të zhvillimeve klienteliste të qytetit. “Nga pikëpamja mjedisore, Plani ka të mirën e madhe që synon 5-fishimin e sipërfaqeve të gjelbra të Tiranës dhe shpall zonat e ndotura me mbetje të rrezikshme që kërkojnë rehabilitim mjedisor, duke e kthyer Tiranën në një qytet të shëndetshëm dhe miqësor me mjedisin. Nga pikëpamja sociale, ky plan krijon mundësinë për popullsinë autoktone të Tiranës që mbi bazë të ndershme dhe të drejtë të zhvillojë pronat në përputhje me parimet e zhvillimit të qëndrueshëm, dhe i jep fund praktikave korruptive të zhvillimeve klienteliste të qytetit. Vlerësimi Strategjik Mjedisor (VSM) u hartua nga 5 ekspertë ndër më të mirët në vend, me titujt më të lartë akademikë të Shqipërisë. Ky studim u publikua online për 4 muaj rresht në websitin e Bashkisë, dhe u konsultua me publikun në seancat e shumta të dëgjesave publike të zhvilluar në të gjitha njësitë e qytetit të Tiranës. Grupi i hartimit të VSM është kompakt dhe shpreh indinjatën për paragjykimin ndaj punës së tyre kolegjiale dhe për paragjykimin e cilitdo anëtar të nderuar të tij”, thuhet në deklaratën e zotit Malltezi. Sipas Malltezit, nëse Lame do t’i tërhiqte syzet partiake atëherë Vlerësimi Strategjik Mjedisor do të dukej ashtu siç është ne fakt, një dokument i vlefshëm për të mirën publike, dhe sugjerimet e sinqerta do ta bënin veç më të plotë. “Studiuesit, si lajmëtarët, nuk kanë faj”, përfundon reagimi i Melltezit, nënshkruar po ashtu edhe nga anëtarët e tjerë të grupit të Vlerësimit Strategjik Mjedisor, Prof. Dr. Lirim Selfo, Prof. Dr. Sulejman Sulçe, Prof. As. Dr. Sazan Guri, Prof. As. Dr. Romeo Hanxhari.