E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nis konstituimi i strukturave të PS

07/05/2005  Strukturat qendrore të PS do të mbledhin nga mesi i javës së ardhshme 100 kandidatët për deputetë, duke i përcaktuar atyre detyrat dhe porositë për fushatën elektorale. Burime në PS shprehen se në këtë mbledhje do të synohet të detajohen sa më qartë pikat që parashtron platforma elektorale e partisë, e cila u miratua vetëm dy ditë më parë nga Kongresi elektoral. Gjithashtu, në këtë mbledhje do të marrë një ratifikim përfundimtar dhe lista e kandidatëve për deputetë, e cila, aktualisht, nuk është publikuar e plotë nga përfaqësuesit e partisë më të madhe në vend. Kjo mbledhje gjithashtu do të detajojë dhe mënyrën se si do të mbështeten kandidatët për deputetë nga strukturat e partisë në rrethe. Në vazhdim kandidatëve do t'u bashkëngjiten dhe strukturat e degëve dhe të nëndegëve të partisë nëpër rrethe si Komitetet Zonale Elektorale, kryesitë, organizatat e partisë, si dhe forumet rinore dhe ato të gruas, për të kompletuar aparatet, që do të zhvillojnë fushatën elektorale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›