Berisha: Këtë mandat e nisim si anëtarë të NATO
Rreth tre javë pas zgjedhjeve të 28 qershorit PD e Durrësit organizon festën e fitores së mandatit të dytë të koalicionit të djathtë. Në këtë qark koalicioni i PD-së fitoi shtatë mandate deputetësh, ndaj pesë të koalicionit të PS-së dhe një të koalicionit të LSI-së. Duke folur gjatë ceremonisë, Kryeministri Berisha tha se fushata elektorale para këtyre zgjedhjeve ishte më e mira, që kjo forcë kishte organizuar që nga themelimi i saj. “Dua të shpreh një mirënjohje të thellë ndaj të gjithë komisionerëve për punën e shkëlqyer e të ndershme të bërë në këto zgjedhje, ndaj të gjithë aktivistëve për fushatën e shkëlqyer që bënë në këto zgjedhje. Ne ia dolëm të kemi fushatën elektorale më të bukur, që nga themelimi ynë deri më sot”, u shpreh Berisha. Por sipas tij, Qeveria në këtë mandat të dytë do të niset në pozita shumë më të favorshme se katër vite më parë. “Katër vite më parë, ne erdhëm në pushtet dhe duhet të përballeshim me bandat më të egra në Evropë, duhet të shembnim sistemin e kleptokracisë, të përballeshim me një sistem arsimor dhe shëndetësor në degradim të vërtetë, me një infrastrukturë thuajse të rrënuar, me mungesa të madhe projektesh. Ndërsa sot, ne nisim këtë mandat si një vend anëtar i NATO-s. Ne e nisim këtë mandat, pasi jemi bërë të famshëm në Evropë dhe më gjerë për klimën e biznesit”, theksoi më tej kreu i qeverisë. Në fund ai premtoi se qyteti i Durrësit, i cili përfiton edhe nga pozita gjeografike, do të jetë në qendër të zhvillimit në katër vitet e ardhshme.