Sot debati për kërkesën e PS për Fierin
Kolegji Zgjedhor nis sot diskutimet për kërkesat ankimore të partive politike për zgjedhjet e 28 qershorit. Në seancën e parë, e cila do të zhvillohet në orën 10.00 të paradites, tetë gjyqtarët e Apelit që përbëjnë Kolegjin Zgjedhor do të marrin në shqyrtim kërkesën e Partisë Socialiste, e cila kërkon që nga tabela përfundimtare e rezultatit të Qarkut të Fierit të hiqen votat e komunës Ruzhdie. Në këtë komunë koalicioni i PD-së fitoi me më shumë se 400 vota diferencë ndaj koalicionit të PS-së. Ndërkohë, gjatë seancës së ditës së mërkurë pritet që Kolegji të shqyrtojë kërkesat e Partisë për Drejtësi dhe Integrim, për shpallje të pavlefshme të disa qendrave të votimit, si dhe rinumërim dhe rivlerësim të votave në të gjithë qarkun. Ndërsa vetëm të enjten do të shqyrtohet kërkesa e PD-së për shpallje të pavlefshme të rezultatit në gjashtë qendra votimi. Në përfundim të diskutimeve për Fierin, pritet të shqyrtohen edhe ankesat për Shkodrën, Tiranën, Durrësin dhe Beratin.