E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Berisha ka grabitur pushtetin

 

aristir lumezi

Pak pas mbledhjes së KQZ-së, e cila votoi me katër vota pro, por pa mundur të miratojë kërkesën e PDI-së për të shpallur të pavlefshme katër kuti në Fier, reagon ashpër Partia Socialiste. Në një komunikim me mediat, kryetari i selisë rozë, Edi Rama, ka akuzuar Kryeministrin Sali Berisha dhe kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, se po tentojnë të grabisin çfarë të munden pas zgjedhjeve të 28 qershorit. “Rikthimi te mandati ynë i nëntë në Fier, i kësaj KQZ-je të kthyer në vegël qorre të Sali Berishës, përmes një kryetari të dënuar në të shkuarën e tij jo të largët, për marrje ryshfeti, dhe një shumice që nuk i nënshtrohet ligjit po oreksit të Sali Berishës, është kuptimplotë për të gjithë ata që duan realisht të dinë se çfarë ka ndodhur më 28 qershor, çfarë po ndodh pas 28 qershorit dhe çfarë mund të ndodhë ende më tutje, në rast se Partia Socialiste nuk bën atë që po bën e do të bëjë deri në fund”, u shpreh Rama, duke iu referuar pikërisht mbledhjes së fundit të komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Sipas tij, KQZ-ja e cila është me shumicë të djathtë mund të tentojë të zvarrisë procesin, por jo të ndalojë PS-në për të mbrojtur tjetërsimin e votës. “Gjithçka që Sali Berisha ka marrë e mund të marrë deri në fund në rrugë të paligjshme, në shkelje të plotë të ligjit e të së drejtës tonë për të qenë të barabartë përpara ligjit, ne do ta rimarrim në rrugën e ligjshme të një force të madhe politike të grabitur në të drejtën e saj, duke mos ngurruar të përdorim çdo mjet që liria e demokracia ia japin njerëzve kur pushteti u mohon të drejtën e barazisë përpara ligjit. Dhe askush nuk duhet ta harrojë se jemi forca më e madhe e politikës shqiptare”, vijoi më tej kreu i PS-së. Më tej, Rama iu rikthye bashkëpunimit mes Kryeministrit Berisha dhe kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, bashkëpunim që sipas kreut të selisë rozë lindi rrufeshëm, siç e quajti ai, për të ndaluar zbardhjen e krimit elektoral të 28 qershorit dhe për të vënë nën presion institucionet ku do të ankimohen kërkesat e PS-së. Rama përsëriti edhe njëherë qëndrimin e tij për hapjen e kutive të Beratit, Tiranës dhe Shkodrës, ku do të provohet manipulimi zgjedhor. “Mua nuk më mbetet veçse t´i ripërsëris publikisht Sali Berishës, një pushtet i grabitur nuk mbahet dot në mes të Evropës në shekullin e XXI-të dhe nga përballja me të vërtetën e kutive të marra peng në kundërshtim me ligjin  e me të drejtën e opozitës, nuk e shpëton dot as ish i dënuari për marrje ryshfeti që ka në krye të KQZ-së, as i dënuari me turp që vrapoi t’i ulet në prehrin e lënë bosh nga Xhuveli dhe as përpjekja e ethshme për të bërë diversion në Partinë Socialiste”, u shpreh më tej kreu i PS.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›