E Shtunë, 31 Tetor 2026

Perëndimi rrit trysninë ndaj Bjellorusisë

Nga Express më 08 janar 2011 në ora 13:22

Qeveritë dhe organizatat e Perëndimit po rrisin trysninë ndaj Bjellorusisë për zgjedhjet e kritikuara presidenciale.
Në Bruksel tashmë po diskutohen hapat për rikthimin e mundshëm të vizave për zyrtarët e lartë bjellorusë, për shkak të zgjedhjeve presidenciale dhe arrestimit të qindra protestuesve të opozitës.
Të mërkurën, më 12 janar, Parlamenti Evropian pritet të mbajë një seancë të jashtëzakonshme për ta diskutuar krizën bjelloruse.
Mbledhja, e cila do t’i përfshijë të gjitha komitetet përkatëse, u thirr me kërkesë të kryetarit të parlamentit, Jirzhi Buzek.
Buzek tha se në vazhdën e takimit do të diskutohen ”përgjigjet e ardhshme nga ana e Bashkimit Evropian” dhe shtoi se “është e rëndësishme të mbahet gjallë trysnia ndaj Qeverisë së Aleksander Lukashenkos në të gjitha nivelet”.
Në kuadër të përgatitjeve për seancën e jashtëzakonshme, Komiteti Politik dhe i Sigurisë i BE-së u takua në Bruksel. Ambasadat e BE-së në Minsk ia kanë dërguar listën e re të zyrtarëve bjellorusë, që do t’i nënshtrohen regjimit të vizave nga blloku 27-anëtarësh.
Disa zyrtarë të lartë evropianë kanë bërë thirrje për rikthimin e sanksioneve.
Ministri i Jashtëm i Suedisë, Karl Bildt, ka thënë se Lukashenko do të futet përsëri në listën e ndalimit të vizave, bashkë me dhjetëra zyrtarë të tjerë përgjegjës për rrahjet dhe arrestimet që ndodhën pas zgjedhjeve.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›