Përfaqësues të Fratelli rone dhe SEA prezantojnë projektet e tyre tek Kryeministri Berisha
Kryeministri Berisha ka pritur në zyrën e tij, pranë Këshillit të Ministrave, përfaqësues të dy kompanive të mëdha Fratelli rone dhe SEA, të cilët janë pjesë e grupit italiano- shqiptar të hidrocentralit të Currajt. Qëllimi i këtij takimi ka qenë prezantimi i projektit përfundimtar për këtë hidrocentral dhe shprehja e interesit për projekte të tjera po në fushën e energjetikës.
Kryeministri Berisha, pasi i ka falënderuar për punën cilësore të kompanisë, u ka prezantuar përfaqësuesve edhe një herë procedurat sipas ligjit të koncesioneve për veprat energjetike hidro.
Duke bërë një përshkrim të zhvillimit të shpejtë e të madh në këtë fushë, Kryeministri Berisha ka theksuar se qeveria ka ndjekur një rrugë specifike për të siguruar shfrytëzimin sa më të mirë të burimeve ujore shqiptare për prodhim energjie.
Kryeministri është shprehur në këtë takim se i fton të gjitha kompanitë e interesuara, ato të huaja e vendase, që të paraqesin projekte e tyre për ndërtimin e hidrocentraleve të vogla, të mesme e të mëdha.
Kryeministri ka bërë me dije se kompani të ndryshme kanë filluar tashmë hartimin e projekteve konkurruese në të njëjtët lumenj të Shqipërisë. E kjo sjell përzgjedhje më të mirë të projekteve për shfrytëzimin e lumenjve. Gara është hapur jo vetëm për lumenjtë kryesorë, por edhe për degët e tyre, nga veri deri në jug të Shqipërisë.