E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fjala e plotë e Kryeministrit Berisha në mbledhjen e qeverisë

Kryeministri Berisha: "Dua të sjell në vëmendjen tuaj përgatitjen me përgjegjësi të madhe të një strategjie dhe qëndrimi tërësisht të ri ndaj zjarreve. Kjo ishte një verë përvëluese, e karakterizuar nga qindra zjarrvënie nga kriminelë piromanë dhe jo piromanë, në mbarë vendin, që dëmtuan sipërfaqe të konsiderueshme pyjesh, ullishtesh dhe vreshtash, rrënuan disa dhjetra shtëpi dhe në disa raste rrezikuan jetë njerëzish. Mendoj se në tërësi Tax Force e krijuar për përballimin e tyre, veproi me efiçencë, ne mobilizimin e mjeteve të brendshme, si dhe në gjetjen e mbështetjes dhe ndihmës nga vendet mike. Italia, Gjermania,Çekia dhanë ndihmë shumë të çmuar. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhanë një ndihmë të çmuar financiare. Gjithashtu, edhe Ukraina. Pa këtë ndihmë, zjarret në Shqipëri do të kishin pasur përmasa shumë më të mëdha, dëmet e tyre do të kishin qenë shumë herë më të mëdha nga këto që janë sot. Në tërësi parqet kombëtare janë ruajtur, por e vërteta është se klima imponon ndryshime rrënjësore të qeverisë shqiptare në dy drejtime; në drejtimin e energjisë, për të cilin qeveria po punon në mënyrë të vazhdueshme për një qëndrim të ri dhe drejtimi i dytë kryesor është qëndrimi ndaj zjarreve.

Duhen marrë një seri masash komplekse. Duhet që kjo Tax Force të hartojë një strategji të re të drejtuar nga zoti Oketa për përballimin me sukses verën e ardhshme të emergjencave të mëdha që mund të krijojnë zjarret. Këto masa kërkojnë mbështetje të plotë ligjore buxhetore kërkojnë programim dhe planifikim në mënyrë që ato të jenë të kompletuara, së paku deri në marsin e vitit që vjen. Është e domosdoshme që një ripërtëritje të plotë të marrë i gjithë shërbimi i zjarrëfikësve. Ne duhet të synojmë një zmadhim të shpejtë të saj, rajonizim më të mirë, stërvitje dhe furnizim më të mirë me pajisje. Këtë vit për ne është e vështirë të mendojmë të blejmë "Canadair", por ne duhet që të gjithë investimin ta adresojmë para së gjithash në parkun e zjarrfikësve, në mjetet e tyre në stërvitjen dhe fuqizimin e tyre.

Problemi i dytë, duhet të rishqyrtohet riorganizimi i këtij sistemi. Problemet që lidhen me gatishmërinë e tij. Për shkak të terrenit të këtij vendi, të mendosh se do të mund të përballosh zjarret vetëm me zjarrëfikëse, është jo realiste.

Është e domosdoshme që të fillojë puna e të hapet tenderi për marrjen me qera të avionëve "Canadair" dhe helikopterëve multifunksional, të stacionuar në Shqipëri.

Është e domosdoshme që brenda një kohe të shkurtër të gjitha kullotat dhe pyjet jashtë parqeve kombëtare t`u kalojnë tërësisht autoriteteve vendore, të përcaktohen të gjitha përgjegjësitë për vëzhgimin ndaj zjarrëvënies.

Të përcaktohet ndërtimi i rrjeteve dhe pajisjet me mjetet e nevojshme për vëzhgimit e territorit. Sistemi i vëzhgimit duhet të bëhet nga bashkitë dhe komunat e vendit. Në asnjë rrethanë dhe ne asnjë rast, qeveria qëndrore nuk mund të ketë kullotat e Nivicës apo Shishtavecit. Të gjitha pyjet përveç parqeve kombëtare, të vendosura në varësi të komunave, qoftë edhe ato private, duhet të kenë statusin e tyre të qartë dhe të prerë. Duhet të shqyrtojmë legjislacionin, pasi zjarret janë njerëzore. Në raste të jashtëzakonshme mund të krijohen nga rrufeja ose nga ndonjë faktor rastësor, por absolutisht në tërësinë e tyre është dora e njeriut. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që Kodi Penal të rishqyrtohet dhe ta përfshijë në vepër të rëndë kriminale zjarrëvënien, jo me një diapazon 10 vite dënimi, por me një diapazon shumë të ngushtë.

Është tepër e rëndësishme që të ketë një trajtim të shumëanshëm të problemit të zjarreve. Këtë verë mund të kishim vërtet probleme shumë herë më madhore në rast se nuk do të arrihej të na viheshin në dispozicion aeroplanët dhe helikopterët nga vendet mike. Ushtria dhe policia dhe rojet e pyjeve, zjarrëvefikësit, kanë bërë një betejë jashtëzakonisht me sakrifica dhe përkushtim të madh, por këto nuk mjaftojnë. Zjarret janë fuqi e verbër, me një potencial shumë të madh shkatërrues. Shpresoj që situata po del nga nga emergjenca dhe Taks-Force duhet të ndërmarrë të gjitha masat për hartimin e një strategjie që do të pasqyrohet edhe në buxhetin e ardhshëm me të gjitha mjetet. Ministria e Mbrojtjes do të bëjë të gjitha përshtatjet që të përballohet më me sukses me mjetet që kemi, një plan imediat afatmesëm. Jemi vend me një klimë që vjen duke u bërë gjithnjë e më e ngrohtë. Faktikisht rajoni po shkon drejt afrikanizimit përsa i përket klimës, por ne do të përshtatemi me kushtet që imponon klima.

Përmes vendimit që miratojmë për projektin e modernizimit të gjendjes civile, ne mundësojmë fillimin e zbatimit të një projekti që synon dixhitalizimin e sistemit të gjendjes civile, krijimin e regjistrit civil elektronik, si dhe krijon një sistem adresash të standardeve më të mira. Ky projekt ka impakt shumë thelbësor në tërë veprimtarinë e shtetit, në veçanti në procesin zgjedhor, i cili është mekanizmi bazë i një shoqërie të lirë. Janë bërë negociata dhe takime të shumta, takime me ekspertët e OSBE-së, të cilët kanë marrë përsipër të financojnë në një masë të caktuar dhe të kontribuojnë në hartimin e projektit dhe zbatimin e tij. Për ne ky është një projekt shumë parësor. Natyrisht, duhet të zgjidhen probleme të tjera që lidhen me buxhetin. Krahas këtij projekti, Ministria e Brendshme duhet të parashohë regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë. Ne duhet të ecim me kompletimin sa më shpejt të arkivave digjitale të vendit".

Këshilli i Ministrave vendos sot edhe për akordimin e ndihmës prej 1 milionë lekësh, familjes së të ndjerës Altina Tomorri, e cila u flijua në përpjekje për të shpëtuar jetë njerëzish në vendin mik, në Greqi. Gjithashtu, Këshilli i Ministrave, të njëjtën shumë u akordon edhe 5 familjeve të minatorëve, të cilët humbën jetën në minierën e Bulqizës, gjatë këtyre 4-5 muajve të fundit.

Ne kemi dërguar ekipet që po shqyrtojnë me hollësi situatën. Opozita është angazhuar dhe ajo do të krijojë komision hetimor dhe unë e mirëpres këtë nismë. Dy gjëra duhet të qartësojnë shqiptarët; kjo është një kontratë e 2001-2002 me të cilën qeveria është përballur jo pak gjatë këtyre dy viteve, sepse kontraktuesi nuk kishte zbatuar kushtet që ai kishte firmosur për investime në minierë. Ndërrimi i sipërmarrësit, që u bë mbi bazën e kushteve tregtare, u kushtëzua nga autoritetet me një seri masash që shtrëngonin sipërmarrësin për të plotësuar kushtet e kontratës. Për një sipërmarrje private shteti e ka shumë të vështirë, për të mos thënë të pamundur, të diktojë menaxherët, kryeinxhinierin, në rast se ata nuk kanë penalitete. Por shteti nuk mund të jetë në mënyrë absolute indiferent ndaj secilës sipërmarrje në Shqipëri, në miniera, në ndërtim dhe kudo që të jetë, ndaj kushteve që cenojnë jetën e njeriut.

Në këtë kontekst, Ministria e Financave do të sjellë me përparësi ligjin që i detyron këta sipërmarrës për të bërë ligjin për sigurimin e jetës dhe të gjitha profesionet me rrezik të lartë. Ne i ndihmojmë ata dhe do të ndihmojmë njerëz në nevojë dhe fatkeqësi, por për punonjësit që punojnë në rreziqe të larta detyrimi i sigurimit të jetës duhet të jetë ligjor. Ky është kushti ynë dhe ne nuk detyrojmë njeri të punojë në minierat tona. Duhet të funksionojmë si një vend që dëshiron të bëhet i zhvilluar dhe nuk mund të marrim standarde të atyre vendeve me të cilat ne shpresojmë të largohemi. Ndaj është e domosdoshme që të ketë ligj për sigurimin e jetës së tyre, është e domosdoshme që te kete inspektime dhe inspektorë, pasi shumë më tepër kanë vdekur në skelat e ndërtimit. Duhet të shqyrtohen të gjitha përgjegjësitë edhe në rastin e minierës dhe ndërtimit. Inspektoriatet respektive dhe përgjegjësitë respektive ligjore të secilit, duhet të jenë të përcaktuara. Ato janë të përcaktuara, por nëse ka konfuzion të qartësohen. Ne sërish përballemi me qëndrime të padenja. U arrestuan dy drejtuesit për minatorët që humbën jetën, por u liruan. Është shumë e rëndësishme që, duke i dhënë të gjithë mbështetjen dhe inkurajimin, lehtësirat e mundshme ligjore, sektorit privat, të forcojmë të gjithë mekanzimin e vëzhgimit dhe imponimit të kushteve të punës në raport me jetën e punonjësve".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›