E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha përuron vendosjen e pllakës përkujtimore në shtëpinë ku ka jetuar familja e Nënë Terezës

Në përkujtim të 10 vjetorit të vdekjes dhe në nderim të figurës së Nënë Terezës, Kryeministri Berisha përuroi sot paradite vendosjen e pllakës përkujtimore tek shtëpia ku ka jetuar familja e Nënë Terezës. Në këtë përvjetor të gjithë shqiptarët, tha Kryeministri, përulen me nderimin më të thellë para veprës së saj frymëzuese.
Më pas, Kryeministri vizitoi ambientet e shtëpisë ku kanë jetuar nëna dhe motra e Nënë Terezës.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Ylli Pango, Arqipeshkvi i Metropolit të Tiranës dhe Durrësit, Imzot Rrok Mirdita dhe kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar Selim Muça, si dhe personalitete të fushës të artit dhe kulturës.

Duke nderuar figurën e Nënë Terezës, Kryeministri Berisha u shpreh:

"Shqiptarja, e cila me forcën e saj shpirtërore, ia doli të pushtojë zemrën e njerëzimit dhe të qytetarëve të mbarë planetit. Nënë Tereza, i dha nder njeriut më shumë se çdo njeri tjetër i kohës së saj, i dha nder gruas dhe nënës, më shumë se çdo nënë e grua tjetër në kohën e saj. Ndaj dhe meritoi titullin më fisnik e më të lartë të të gjitha kohërave dhe kombeve, titullin e nënës.

Nënë Tereza u dha nder të madh më shumë se kushdo tjetër kombit shqiptar. Për të gjithë veprimtarinë e saj njerëzore dhe hyjnore, të bazuar në forcën e pashtershme të dashurisë, Papa Gjon Pali II nisi më shpejt se për këdo tjetër procesin e shenjtërimit, pasi mund themi se ajo u nda nga jeta si një shenjtore e gjallë. Nobelistja Gonxhe Bojaxhi u bë me veprimin e saj simbol i madh i humanizmit, i shpirtit të madh, i zemrës së dhembshur për kombin shqiptar dhe të gjitha kombeve të tjera.

Ne nderojmë në këtë 10 vjetor, duke u përulur me nderimin më të thellë para saj, veprës së madhe dhe frymëzuese të kësaj gruaje shtatvogël, por që rrezatoi dashuri mirësi, mëshirë dhe shpresë kudo në botë."

Në përkujtim të 10 vjetorit të vdekjes së Nënë Terezës po organizohen në Tiranë një sërë aktivitetesh në nderim të jetës dhe aktivitetit të humanistes së madhe shqiptare.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›