E Diel, 1 Nëntor 2026

Pjesëmarrja e Shqipërisë në misione paqeruajtëse, faktor i rëndësishëm i shtytjes përpara të procesit të integrimit në NATO

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e përcjelljes së Kontigjentiit të 10-të paqeruajtës në misionin "Liria e Irakut", e cila u organizua në regjimentin komando në Zall-Herr.

Në ceremoni ishin të pranishëm Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Leitnant Luan Hoxha, ambasadori i SHBA-ve, Z. John.L.Withers II, përfaqësues të misioneve këshillimore ushtarake të vendeve partnere, si ODC, DIE, DAKOT, CUBIC, atashetë ushtarakë të akredituar në vendin tonë, si dhe familjarë të pjesëtarëve të kontigjentit.

Në fjalën e tij, Ministri i Mbrojtjes Mediu u shpreh se angazhimi i qeverisë shqiptare për të modernizuar Forcat e Armatosuar shqiptare është angazhim i të gjithë faktorëve për të realizuar standartet dhe për të merituar ftesën për anëtarësim në NATO.

Në përshëndetjen e tij, ambasadori amerikan, Z. John .L.Withers II, përgëzoi trupat shqiptare dhe u uroi atyre mision të mbarë.

Duke marrë fjalën, Kryeministri Berisha u shpreh se dita e sotme shënon një moment solemn, jo vetëm për kontigjentin dhe Forcat e Armatosuar shqiptare, por për të gjithë kombin tonë.

Duke vlerësuar misionin "Liria e Irakut", si një mision të madh në projektin e Shqipërisë dhe shqiptarëve për integrim në vendet e Komunitetit Euroatlantik, Kryeministri Berisha shprehu vendosmërinë për të qenë të pranishëm aty ku do të jetë Aleanca e Atklantikut të Veriut dhe SHBA-të.

Më pas, Kryeministri Berisha i dorëzoi flamurin Komandantit të Kontigjentit, Major Behar Marës dhe u përshëndet me familjarë të paqeruajtësve.

Më tej në fjalën e tij, Kryeministri u shpreh:

"Ndihem shumë krenar sot që marr pjesë në këtë moment solemn , jo vetëm për njësinë tuaj të shkëlqyer, por për secilin prej jush, për fëmijët, prindërit, bashkëshortet, miqtë tuaj, moment solemn për Forcat tona të armatosura, për mbarë kombin.
JU sot niseni në një mission të një rëndësie shumë të madhe dhe shumëplanëshe. Së pari ju shkoni të ndihmoni një popull mik për të ndërtuar lirinë, pas dekadash të tëra diktature teokratike. Ju shkoni të përballeni me një rrezik të madh për lirinë, jo vetëm të popullit të Irakut, por të mbarë njerëzimit, terroristëve, të cilët janë faktuar armiq kryesorë të paqes në këtë shekull. Ju shkoni të ndihmoni një komb, i cili do të ndërtojë lirinë dhe të dalë nga shtypja dhjetra vjecare e nje pakice dhe që tani nuk pranon rregullat e demokracisë, por përpiqet sërish me akte terroriste të mbajë në terror shumicën e vendit.
Ju shkoni në Irak përkrah mikut, aleatit më të çmuar, më të madh te Shqipërisë, SHBA-ve, qëndroni krah për krah me bijtë dhe bijat më të mira të këtij kombi të cilët janë në një mision të sigurtë, në Irak, mision i cili do të finalizohet me një Irak të lirë dhe demokratik. Me një rëndësi të jashtëzakonshme për të gjithë rajonin që do të rrezatojë shpresë në mbarë ato vende të cilat përballen me vështirësi të regjimeve të tyre.

Të dashur ushtarë, nënoficerë dhe oficerë! Unë dua tu shpreh këtu në emer të shoqërisë një mirënjohje të thellë bashkëshorteve tuaja, nënave, motrave, baballarëve, fëmijëve tuaj, të cilët sot janë së bashku me ne, për tu përcjellë ju, në këtë mision të lartë dhe fisnik.
Dua ti siguroj ata se qeveria ndan me ta prokupimin e madh për ju dhe tu siguroj ju, se qeveria do të bëjë të gjitha përpjekjet që familjarët, fëmijët, prindërit tuaj, ta ndjejnë sa më pak mungesën tuaj gjatë këtyre muajve.

Misioni juaj është një mision i madh, në projektin e Shqipërisë dhe shqiptarëve për integrim në vendet e Komunitetit Euroatlantik. Është misioni i 10-të që niset në Irak. Forca të tjera të këtij regjimenti operojnë sot në Afganistan, Bosnje dhe ne jemi të vendosur të jemi të pranishëm me ju aty ku do të jetë Aleanca e Atlantikut të Veriut, aty ku do të jenë SHBA-të. Në këtë kontekst ju përmbushni një mision të madh ndërkombëtar, jeni shndërruar në një faktor të rëndësishëm të shtytjes përpara të procesit të integrimit të vendit në NATO, si e ardhmja më e sigurtë e kombit shqiptar.

Duke përfunduar edhe njeherë ju uroj nga zemra suksese në detyrën tuaj të madhe.

Shpreh bindjen e thellë se ju do të përmbushni me nder të madh të gjitha detyrimet tuaj në Mosul, sikundër po përmbushin detyrimet e tyre ushtarët shqiptarë në Herat, në Kabul, në Bosnje dhe kudo që ndodhen. Me faqe të bardhë".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›