E Diel, 1 Nëntor 2026

Shteti nuk mund të jetë indiferent ndaj kushteve që cenojnë jetën e njeriut

Kryeministri Berisha tha sot, gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, se mirëpret nismën e opozitës për ngritjen e komisionit hetimor për Bulqizën. "Ne kemi dërguar ekipet, që po shqyrtojnë me hollësi situatën. Opozita është angazhuar dhe do të krijojë komision hetimor. Unë ë mirëpres këtë nismë," tha Kryeministri.

Kryeministri theksoi se në një sipërmarrje private është e pamundur të veprosh pa penalitete. "Për një sipërmarrje private, - tha ai - shteti e ka shumë të vështirë, për të mos thënë të pamundur, të diktojë menaxherët, kryeinxhinierin në rast se ata nuk kanë penalitete. Shteti nuk mund të jetë indiferent ndaj secilës sipërmarrje në Shqipëri në miniera, ndërtim e kudo ndaj kushteve që cenojnë jetën e njeriut."

Kryeministri bëri të ditur se në vitin 2006 qeveria ndërroi kontratën me një seri masash që shtrëngonin kompaninë të plotësojë kushtet e sigurisë në punë. "Duhet të qartësojmë dy fakte. Kjo është një kontratë e vitit 2001-2002, me të cilën qeveria është përballur jo pak gjatë këtyre dy viteve, sepse kontraktuesi nuk kishte zbatuar kushtet që ai kishte firmosur për investime në minierë. Ndërrimi i sipërmarrësit, që u bë mbi bazën e kushteve tregtare, u kushtëzua nga autoritetet me një seri masash që shtrëngonin sipërmarrësin për të plotësuar kushtet e kontratës," nënvizoi Kryeministri.

Kryeministri tha se Ministria e Financave do të sjellë me përparësi ligjin që i detyron sipërmarrësit për sigurimin e jetës në të gjitha profesionet me rrezik të lartë. "Ky është kushti ynë dhe ne nuk detyrojmë njeri të punojë në minierat tona. Ne duhet të funksionojmë si një vend që dëshiron të bëhet i zhvilluar dhe nuk mund të marrim standarde të atyre vendeve nga kategoria e të cilave ne shpresojmë të largohemi", u shpreh Kryeministri

Duke e cilësuar si të domosdoshme ekzistencën e ligjit për sigurimin e jetës, Kryeministri theksoi se duhet të qartësohen dhe përcaktohen të gjitha kompetencat e inspektorateve të kushteve të sigurisë.

"Është shumë e rëndësishme që duke i dhënë të gjithë mbështetjen dhe inkurajimin, lehtësirat e mundshme ligjore sektorit privat të forcojmë të gjithë mekanizmin e vëzhgimit dhe imponimit të kushteve të sigurisë së punës në raport me jetën e punonjësve", nënvizoi Kryeministri.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›