Rama shantazhon PS-në, Peleshi ia kthen duke mos i përmendur emrin në miting
Rrethimi i KQZ-së i shërben vetëm shmangies së një presioni e llogaridhënieje në strukturat socialiste, por këtë hile të Edvinit e kanë pikasur partiakët e vjetër si dhe burokracitë e provincave. Duke përqeshur kalendarin e protestuesve-muhaxhirë nga rrethet, Niko Peleshi dje foli për fitoren e vet dhe refuzoi t’ia përmendtte emrin kryetarit të partisë, i cili humbi bashkinë më të madhe të vendit
Pasi ka humbur përpalljen elektorale për bashkinë e Tiranës, Edi Rama po kthen sytë seriozisht nga karrigia e mbetur e partisë. Një protestë 6 ditore para Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, degjeneroi në mungesë besimi të protestuesve ndaj orientuesit të tyre Edi Rama, teksa grupime të caktuara të mbledhur nga rrethet, bënin thirrje dhe shantazhe në mënyrë të pavarur. U duk qartë se në Tiranë protesta ishte më shumë se e dështuar. Plani i radhës i Edi Ramës, mbetet “kapja” e bazës socialiste, ashtu siç edhe bëri 2 vjet më parë, menjëherë pasi humbi zgjedhjet parlamentare.
Ende nuk është e qartë nëse Edi Rama do nisë menjëherë bindjen e bazës socialiste se ai është njeriu i duhur për t’i drejtuar ata me iluzionin se një ditë do sjellë PS-në në pushtet, por është e garantuar që gjithçka do të frymëzohet përmes protestave lokale. Në kryeqytet, kauza e tij ka marrë shuplakën e pritshme dhe si e tillë s’mund të miklojë ndjenjën e revoltës që paralajmëron humbësi i bashkisë.
Të zgjedhurit vendorë socialistë, të pranishëm në protestën e djeshme të PS, ngrinin si kontekst të kauzës së tyre jo atë për të cilën po “lufton” Partia Socialiste, pra, mos numërimin e votave të qytetarëve, por fitoren lokale të arritur si p.sh në Korçë, Elbasan apo edhe diku gjetkë. Edhe pse të mbledhur në një protestë e cila si kundërsens do të kishte mos njohjen e vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për numërimin e çdo vote të qytetarëve, protestuesit socialistë, të paktë në numër, s’e morën mundimin të bëjnë thirrje për hallin personal të Edi Ramës, ndërsa lartësuan si “heronj” kandidatët socialistë, të cilët u mandatuan në disa prej bashkive të vendit.
Një situatë e tillë është ndeshur dje me protestuesit socialistë nga Korça, të cilët s’pranuan t’i bashkoheshin koreve të rekrutëve që kishin grumbulluar Erjon Braçe dhe Taulant Balla. Thirrjet e militantëve të trajnuar nga Braçe dhe Balla, apo edhe ata të Paulin Sterkajt, që vazhdimisht drejtonin sytë nga hyrja kryesore e KQZ, e cila gjendej e rrethuar nga disa kordonë të forcave të Policisë, me ide dhe plan vetjak të çanin kordonin, ishin për ri-mandatimin e Edi Ramës në krye të bashkisë së Tiranës. Ata korçarë nuk ndanin të njëjtin mendim. Ata injoruan entuziazmin absurd të militantëve të Ramës, ndërsa në koret e tyre, lakonin kryebashkiakun e Korçës Niko Peleshi, i cili fitoi një mandat të dytë në bashkinë e qytetit Juglindor. Madje ishte edhe vetë ky i fundit, i cili në fjalën e tij para të pranishmëve nuk foli për asnjë moment se si do i bëhej halli Ramës, por konsideroi si fitore të PS-së, triumfin e tij personal në Korçë. Dhe me të drejtë, Peleshi s’ka pse të shqetësohet për karrigen që humbet Rama, pasi boll më e ka keqpërdorur atë në dobi të kartelit të betonit, dhe aspak në shërbim të qytetit dhe qytetarëve. Kryebashkiaku i Korçës, Niko Peleshi, s’ndjeu aspak shqetësim se kryetari i tij partiak, Edi Rama, pritej të zyrtarizohej humbës i përballjes elektorale për Tiranën. Si përfundim, protesta e djeshme e PS-së në Tiranë, ishte një dështim i paralajmëruar si dhe matës i qartë se Rama ndodhet në ujëra të turbullta, ndërsa në PS janë vënë në lëvizje kandidaturat e para për ta zëvendësuar.