E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përforcimet e mirëseardhura

Mesfushori i Manchester Unitedit, Nani thotë se mirëpret përforcimet që vijnë në Old Trafford dhe nuk brengoset se ardhja e reprezentuesit anglez, Ashley Young mund të reduktojë paraqitjet e tij në formacionin bazë. Ylli portugez pranon se përcjellja e ndeshjeve nga bankina është monotone, por thekson se menaxheri vendos se kush do të luajë. Nga Express më 28 qershor 2011 në ora 08:22

Mesfushori i Manchester Unitedit, Nani nuk planifikon të largohet nga kampioni i Premierligës pas transferimit të Ashley Youngut gjatë javës së kaluar dhe i tha Reutersit të hënën se mirëpret konkurrencën për një vend në formacionin bazë në Old Trafford.

Nani së fundmi spekulohej me largim nga klubi, pasi pranoi se përcjellja e ndeshjeve nga bankina është “monotone”, por portugezi tha se mezi pret të takohet me bashkëlojtarin e tij të ri.

“Sigurisht se mirëpres çdo përforcim, mendoj se Manchester United është klub fantastik. Kur klubi sjell futbollistë të rinj, ata e dinë nëse është për të mirë të ekipit apo jo dhe ardhja e Youngut duhet të na ndihmojë”, tha Nani nga dhoma e tij në një hotel në Singapor. “Është për të mirë të ekipit, ne kërkojmë ndihmë edhe nga futbollistë të tjerë për të fituar tituj”, shtoi ai.

24 vjeçari shpjegoi se përvoja e tij e konkurrimit me futbollistin më të shtrenjtë në botë, Cristiano Ronaldo, për një vend në formacionin bazë të Portugalisë dhe më parë në ekipin titullar të Manchester Unitedit ka bërë që ai të mos brengoset nga mundësia e paraqitjeve të kufizuara pas ardhjes së Youngut.

“Kam qenë këtu (në United) kur Cristiano ishte këtu, Cristiano ishte njëri prej futbollistëve më të mirë në botë. Edhe atëherë nuk kisha brenga se ai do ta zinte vendin tim”, u shpreh Nani rreth bashkëkombësit të tij i cili iu bashkua Real Madridit më 2009.

Nani e filloi sezonin në formë të shkëlqyeshme para se të pësonte rënie dhe të humbte vendin në ekip nga Antonio Valencia në humbjen 3-1 nga Barcelona, në finalen e Ligës së Kampionëve muajin e kaluar. Ish reprezentuesi i Koresë së Jugut, Park Ji-sung po ashtu startoi në krah para Nanit në finalen në Wembley.

“Ishte monotone sepse ju doni të luani, të gjithë duan të luajnë. Finalet janë për t’u luajtur, por menaxheri është ai që merr vendime dhe ai e di se çka është më së miri për ekipin, andaj duhet ta respektoj atë”, vazhdoi Nani.

Megjithatë, ai u inkuadrua në 20 minutat e fundit në vend të mbrojtësit brazilian Fabio dhe ishte dëshmitar i shkallës që duhet të arrijë Manchester United për të ngritur për herë të katërt titullin e Evropës.

“Barcelona është ekipi më i mirë. Ata nuk janë të pamposhtshëm, ndoshta në një ndeshje tjetër ne mund të fitojmë kundër tyre, kurrë nuk i dihet. Loja është lojë dhe kurrë nuk i dihet se çka do të ndodhë”, përfundoi Nani.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›