Fundoset River Plate
Njëri prej klubeve më të mëdha në futbollin e Amerikës së Jugut, River Plate, ka rënë nga liga e parë e Argjentinës për herë të parë në historinë e saj 110 vjeçare. River u desh të fitojë me dy gola epërsi për t’iu shmangur rënies në ligën ‘B’.
Por, ata arritën vetëm një barazim 1-1 kundër Belgrano de Cordoba. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin e Riverit në Buenos Aires u desh të ndërpritet në minutat e fundit pas skenave kaotike.
Policia përdori pompat e ujit në tribuna duke shkaktuar dyndje në fushë nga tifozët e hidhëruar të Riverit. Futbollistët e të dyja ekipeve u desh të përcillen jashtë fushës. Dhuna vazhdoi edhe pas ndeshjes me përleshje jashtë stadiumit mes tifozëve dhe policisë.
Më tepër se 2 mijë policë ishin angazhuar para takimit në një operacion të paparë të sigurisë për një ndeshje futbolli. Pas përfundimit të trazirave, zyrtarë të policisë njoftuan se 72 persona kanë përfunduar në spital me lëndime të ndryshme, përfshirë një zyrtar të policisë i cili është në gjendje kritike.
Në mesin e 72 të lënduarve, 25 janë zyrtarë policorë, të cilët janë lënduar jashtë stadiumit. Policia po ashtu ka konfirmuar se 95 persona janë arrestuar gjatë protestave. Edhe vetë ndeshja ishte përballje e tensionuar.
Riveri kaloi në epërsi 1-0 brenda pesë minutave të para. Por, rezultati u barazua në pjesën e dytë pas një aksioni të suksesshëm nga Belgrano. Drama vazhdoi kur futbollisti, i cili kishte shënuar golin e Riverit, Mariano Pavone, nuk realizoi nga penalltia duke shtangur më tepër se 50 mijë tifozët vendas. Ky moment përcaktoi edhe fatin e tyre.
Në përfundim të takimit, disa futbollistë ishin kapluar nga lotët. River, që ka fituar kampionatin argjentinas më tepër se cili do klub tjetër – 33 tituj – ishte njëra prej tre skuadrave që kurrë nuk kishte rënë nga divizioni i parë. Shumë komentues e përshkruan rënien në “greminë”.
Mediet argjentinase reaguan me mosbesim ndaj rezultatit. E përditshmja Clarin shkroi “Askush, absolutisht askush nuk do të jetë në gjendje ta harrojë këtë ditë”, dhe shtoi se Belgrano ishte “ekzekutues”, por jo i vetmi faktor për përcaktimin e fatit të Riverit.
Sipas Clarin, “Gjykimi i botës dhe gabimet në menaxhment” e kishin dërguar klubin në këtë pikë, por nuk arsyetoi incidentet në fund të takimit. “E pabesueshme, por e vërtetë”, ishte titulli i të përditshmes sportive, Ole.