E Diel, 1 Nëntor 2026

Nje kampionat futbolli ne Shqiperi eshte i shtrenjte per ekipet kryesore

Nëse bën një krahasim edhe vetëm përtej kufirit verilindor shikon se atje ekziston një realitet tjetër futbolli. Kampionati i Kosovës në futboll është ndjeshëm më pak i kushtueshëm sesa superliga e Shqipërisë, ndërsa përfaqësojnë që të dy një model biznesi jo fitimprurës.

Ndërsa kampionia e Shqipërisë, Skënderbeu i Korçës, padyshim që i është afruar 1 milion eurove shpenzime për rrogat e lojtarëve, ndërsa po ashtu tepër i shtrenjtë ka qenë edhe Flamurtari i Vlorës, në Kosovës kemi një kampion pa shumë para në xhep.

Hysi, klubi i Kosovës veriore, u shpall kampion këtë sezon dhe pronari i tij, Hysen Sadiku, thotë se ky titull i ka kushtuar 110 mijë euro përgjatë gjithë sezonit.

Një klub i themeluar vonë, vetëm më 2002, Hysi është bërë forcë serioze në futbollin kosovar, futboll që vazhdon të vuajë mungesën e investimeve në infrastrukturë për shkak të gjendjes ende të izoluar të shtetit më të ri të Europës, duke mos qenë anëtar i FIFA-s dhe UEFA-s.

Jo vetëm Kosova, por edhe shtete të tjerë rreth e qark kufirit zakonisht kanë kufij në shpenzimet e tyre. Kjo vlen për klubet malazeze, shumicën dërrmuese të klubeve kroatë, madje edhe për klubet e Sllovenisë shumë më e pasur sesa gjithë pjesa tjetër e Ballkanit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›