E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Drejtësisë: Në listën e dytë do të përfitojnë dëmshpërblim 4 mijë të përndjekur

Marsida Xhaferllari, drejtoresha e ngarkuar nga Alibeaj për ish-të përndjekurit, shpjegon procedurat. Sipas saj, lista është ende në fazën e verifikimit në ministritë e tjera

Laureta Rryçi

Tiranë - Ministria e Drejtësisë do të përfshijë në listën e dytë për dëmshpërblim rreth 4 mijë ish-të përndjekur. Lajmi konfirmohet zyrtarisht nga drejtoresha e Përgjithshme e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, Marsida Xhaferllari, e cila është ngarkuar nga ministri Alibeaj për ndjekjen e procesit të dëmshpërblimit financiar të ish-të dënuarve politikë. “Ministria e Drejtësisë është duke mbyllur listën e dytë të dëmshpërblimit për rreth 4 mijë ish-të dënuarit politikë, e cila do t’i dërgohet Këshillit të Ministrave për miratimin përfundimtar”, - pohoi dje zyrtarja e lartë e dikasterit që po shqyrton edhe kërkesat për dëmshpërblim. Sipas saj, listat e publikuara këto ditë nga mediat përmbajnë emrat e ish-të dënuarve politikë drejtuar Ministrisë së Financave, Entit Kombëtar të Banesave dhe Zyrës së Pasurive të Paluajtshme për verifikimin e përftimeve që ish-të dënuarit kanë marrë më parë.
Përfituesit
Emrat e përfituesve të dalë në listën e fundit që u publikua nga gazeta “Albania” janë edhe në listën përfundimtare, por bashkë me ta ka edhe emra të tjerë verifikimi. Këta emra po verifikohen nga Financat, Enti i Banesave dhe Zyra e Përgjithshme e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Xhaferllari ka konfirmuar për të gjithë të interesuarit se në këtë listë të dytë janë rreth katër mijë emra fitues. Sipas saj, deri tani në Ministrinë e Drejtësisë janë depozituar rreth 19 mijë kërkesa për dëmshpërblim financiar. ”Procesi i dëmshpërblimit është një proces që zgjat. Ministria e Drejtësisë ka rolin qendror në procedurën administrative të shqyrtimit të kërkesave, megjithatë, ky është një proces i lidhur edhe me institucionet e tjera, pasi ne e rakordojmë informacionin me Ministrinë e Brendshme, me Ministrinë e Mbrojtjes, Arkivin e Shtetit, SHISH-in, Ministrinë e Financave, Entin e Banesave dhe ZRPP-në, sigurisht edhe me qytetarët, sepse ka disa dokumente që duhet t’i paraqesin ata”, - shpjegoi drejtoresha në Ministrinë e Drejtësisë. I gjithë ky bashkërendim sjell shtrirje në kohë të të gjithë procesit, i cili nuk mbaron me paraqitjen e kërkesës në Ministrinë e Drejtësisë. Me përfundimin e procesit administrativ dosjet e përfunduara, që i kanë aktet e plota, përfshihen në një listë dhe kjo listë dërgohet për miratim në Këshillin e Ministrave, pra është Këshilli i Ministrave autoriteti që vendos përfitimin e dëmshpërblimit financiar. “Në këto momente Ministra e Drejtësisë është duke mbyllur listën e dytë, që do t’ia dërgojë Këshillit të Ministrave”, - pohoi Xhaferllari.
Dëmshpërblimi
Në bazë të buxhetit vjetor të vënë në dispozicion dhe sipas radhës së caktimit të dëmshpërblimit, fondet do të ndahen në mënyrë të barabartë për të gjithë ish-të dënuarit dhe familjarët e viktimave të pushkatuara, me kusht që vlera e dëmshpërblimit gjatë fazës së parë të mos jetë më shumë se 1 000 000 (një milionë) lekë. I njëjti mekanizëm do të përsëritet një ose më shumë herë, deri në shpërndarjen e plotë të shumës së dëmshpërblimit për të gjithë ish-të dënuarit/familjarët e viktimave, me kusht që, në çdo rast, pjesa takuese që kompensohet të mos jetë më e vogël se 100 000 (njëqind mijë) lekë. Asnjë ish-i dënuar apo familjar i tij nuk mund të dëmshpërblehet jashtë këtij mekanizmi. Ministria e Drejtësisë, brenda një jave nga miratimi në Këshillin e Ministrave të vendimit për dëmshpërblimin, i përcjell Ministrisë së Financave kopjen e plotë të dosjeve individuale të ish-të dënuarve politikë që përfitojnë dëmshpërblim sipas këtij ligji. Ministria e Financave, sipas buxhetit të vënë në dispozicion, shpërndan në vlerë të plotë dëmshpërblimin për çdo të dënuar politik që përfiton sipas këtij ligji, nëpërmjet çeljes së depozitës bankare, në emër dhe/ose për llogari të tij ose të familjarëve të tij, në një bankë të nivelit të dytë. Dokumenti i çeljes së llogarisë bankare i bashkëlidhet dosjes në Ministrinë e Financave.

Si do të bëhet tërheqja e parave

Dëmshpërblimi financiar i depozituar në llogaritë bankare tërhiqet personalisht nga vetë ish-i dënuari politik apo nga kujdestari i tij ligjor, kur ai ka humbur zotësinë juridike për të vepruar, apo nga familjari i viktimës së ekzekutuar. Kur ish-i dënuari politik ka vdekur apo vdes para ditës së tërheqjes së kësteve të dëmshpërblimit, shumën e parave e përfitojnë, në pjesë të barabarta takuese, vetëm familjarët e tij, të përcaktuar në Nenin 8 këtij ligji. Kur asnjë prej tyre nuk është gjallë, dëmshpërblimi shuhet dhe fondet i kthehen Buxhetit të Shtetit. Banka e nivelit të dytë lejon tërheqjen e të gjithë depozitës nga përfituesit e përcaktuar në paragrafin e dytë të këtij neni, vetëm pasi ata/ai depozitojnë /depoziton personalisht certifikatën e vdekjes së ish-të dënuarit politik, dëshminë e trashëgimisë së tij dhe dokumentin, që vërteton se të paktën që njëri prej tyre është gjallë. Banka e nivelit të dytë, në dokumentin përkatës, shënon të dhënat e personit/personave që tërheq/tërheqin dëmshpërblimin, për llogari të vet dhe të të gjithë përfituesve. Një kopje e këtij dokumenti dhe e dokumentit që provon tërheqjen e llogarisë bankare, i bashkëlidhen dosjes individuale në Ministrinë e Financave. Asnjë veprim bankar nuk mund të kryhet në kundërshtim me paragrafët e mësipërm të këtij neni, edhe nëse ai mund të autorizohet me prokurë. Ministria e Financave mbikëqyr mënyrën e respektimit të këtij detyrimi ligjor dhe, kur vëren shkelje, e gjobit bankën e nivelit të dytë me gjobë të barabartë sa trefishi i çdo depozite, të shpërndarë në kundërshtim me përcaktimet e këtij neni.

Verifikimi sipas rasteve

1. Shqyrtimi i drejtpërdrejtë:

Ministri i Drejtësisë, brenda 10 ditëve nga data e depozitimit të kërkesës nga ana e subjektit, ua përcjell kërkesën institucioneve për verifikim të drejtpërdrejtë, në burimet arkivore të tyre, të periudhës 30.11.1944-1.10.1991.

Institucionet, brenda 30 ditëve nga depozitimi i kërkesës, përcjellin pranë ministrit të Drejtësisë përgjigjen përkatëse, për plotësimin e kritereve, të shoqëruar me kopje të dokumenteve përkatëse arkivore.

Përgjigjja e institucioneve është sipas tekstit në vijim:

“Pas verifikimit të drejtpërdrejtë, të kryer nga institucioni ynë, në bazë të shkronjës “d”, të Nenit 26, të Ligjit nr. 9831, datë 12.11.2007, ‘Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist’, ju vëmë në dijeni se subjekti kërkues:

Plotëson kriteret për të përfituar dëmshpërblim, sipas Nenit 4, të Ligjit nr. 9831, datë 12.11.2007, ‘Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist’;
ose
Nuk plotëson asnjërën nga kriteret e parashikuara në Nenin 4, të Ligjit nr. 9831, datë 12.11.2007, ‘Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist’”.

2. Shqyrtimi i bashkërenduar:

Ministri i Drejtësisë, brenda 10 ditëve nga data e depozitimit të kërkesës ua përcjell institucioneve dosjen e kërkuesit, të shoqëruar me një shkresë përcjellëse, me anë të së cilës kërkohet verifikimi i një prej kritereve

Institucionet e mësipërme, brenda 30 ditëve nga depozitimi i dosjes, njoftojnë, me shkrim, ministrin e Drejtësisë dhe i përcjellin bashkëlidhur një kopje të dokumenteve përkatëse arkivore

Përgjigjja e institucioneve është sipas tekstit në vijim:

Pas shqyrtimit të kryer në burimet arkivore të institucionit tonë, në bazë të Nenit 27, të Ligjit nr. 9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, ju vëmë në dijeni se subjekti kërkues:

Plotëson kriterin e parashikuar në shkronjën “d”, të Nenit 4, të Ligjit nr. 9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”;

ose

Nuk plotëson kriterin e parashikuar në Ligjin nr. 9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”.

30 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›