E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpëtimi në det, diplomohet grupi i parë i ekspertëve shqiptarë sipas standardeve të NATO-s



Tiranë- Shqipëria për herë të parë ka tashmë një grup të posaçëm ekspertësh për kërkimin dhe shpëtimin e njerëzve në det sipas standardeve të NATO-s. Ky grup ekspertësh përbëhet nga një njësi speciale oficerësh shqiptarë të cilët dje në liqenin e Farkës në Tiranë kanë demonstruar aftësitë e tyre përpara autoritete ushtarake dhe ekspertëve të NATO-s që i kanë stërvitur për muaj me radhë. Qëllimi i kësaj njësie të posaçme në shërbim të Brigadës së Mbështetjes Rajonale pranë Mbrojtjes Civile, do të jetë kërkimi, evakuimi dhe shpëtimi i individëve të ndryshëm ushtarakë dhe civilë, të cilët gjenden në situata të vështira në ujë, pas aksidenteve të ndryshme ose mbytjes së mjeteve lundruese. Stërvitja e djeshme në liqenin e Farkës kishte për qëllim demonstrimin e aftësive të kësaj njësie të posaçme, e cila është stërvitur gjatë këtyre kohëve sipas standardeve të NATO-s nga dy prej ekspertëve më të mirë italian të zhytjes dhe shpëtimit, të cilët kanë dhënë eksperiencat e tyre për njësinë shqiptare pranë Brigadës së Mbështetjes Rajonale, në zbatim të një projekti mbështetës të Delegacionit Italian të Ekspertëve në Shqipëri. Stërvitja kishte për qëllim demonstrimin e dy rasteve të ndryshme: i pari kishte improvizuar krijimin e një situate incidenti në përmbysjen e një barke dhe në shpëtimin e njerëzve që gjendeshin në ujë me anë të zhytësve që hidhen nga helikopteri. Ndërsa episodi i dytë kishte për qëllim evakuimin e efektivave të posaçme ushtarake gjatë misioneve të evakuimit në territore armike. Në fund të stërvitjes demonstrative, oficerët e ekipit special të zhytjes janë përshëndetur nga shefi i DIE-s në Shqipëri, gjeneral brigade, Aldo Pikoti dhe kolonel Selim Troci, të cilët i kanë dorëzuar dhe diplomat përkatëse njësisë speciale shqiptarëve të zhytësve.

30 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›