Regjisori Gurakuqi sjell veprën e fundit të Verdit në TOB
“Falstaff” , një opera Verdiano-Shekspiriane e cilësuar si një nga veprat më të vështira, por dhe të suksesshme në repertorin operistik botëror, do të vihet në skenë për hërë të parë së afërmi, në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë. Regjisori i kësaj shfaqje, Nikolin Gurakuqi, duke bërë të ditur këtë lajm për ATSH-në tha se, “Falstaff” , që mendohet të jetë gati në fund të muajit maj, aktualisht është në fazën e audicioneve”. Duke e cilësuar këtë vepër si një margaritar, regjisori Gurakuqi, i njohur për vënien me sukses të një sërë veprash operistike, tha se “premiera Verdiano-Shekspiriane mund të konsiderohet një ngjarje historike në jetën artistike", duke shtuar se “kam mbi 10 vjet që e njoh këtë vepër dhe prej kohësh e kam ëndërruar vënien e saj në skenë”. Sipas regjisorit Gurakuqi “Falstaff” është një ndër veprat më të bukura që janë realizuar deri më sot. E cilësuar nga kritika botërore si vepra që çeli epokën e shekullit XX, “Falstaff” do të vijë në skenën shqiptare në një skenografi të realizuar po nga Gurakuqi, i cili pohon që shfaqja do të jetë plot zhdërvjelltësi skenike dhe mizanskena. E gjithë vepra luhet në tempo ritmin alegro vivaçe, gjë e cila kërkon jo vetëm përgatitje të lartë vokale nga interpretuesit, por dhe përgatitje të lartë nga ana aktoriale. “Falstaff” është një komedi që mbështetet mbi fjalën. Ajo nuk është një vepër e mirëfilltë operistike me numra muzikor të mbyllur, por është e gjitha e bazuar mbi dialogun dhe nuk ka ndarje mes pjesëve. E kompozuar nga Xhuzepe Verdi në vitin 1893, “Falstaff” pritet të sjellë risi si në konceptimin muzikor, ashtu dhe në libret. Kjo vepër bazohet në komedinë e Shekspirit “Gratë gazmore të Uindsdorit”, detaj që e bën edhe më të veçantë. Filozifia e shfaqejes shprehet në fund të veprës, kur interpretuesit të revoltuar nga ngjarjet thonë: “Çdo gjë në botë është mashtrim, njeriu ka lindur mashtrues, mashtrues, mashtrues!” Një tjetër e veçantë e kësaj shfaqjeje është se “Falstaff” konsiderohet si vepra e fundit e kompozuar nga Xhuzepe Verdi mbi libretin e Arrigo Boitos. Premiera e parë e saj u dha në skenën e teatrit “La Scala” të Milanos në vitin 1893.
29 Prill 2009