E Diel, 1 Nëntor 2026

Përfundimi i misionit në Irak, Obama: “SHBA-të paguan një çmim të lartë”



Presidenti i SHBA-ve deklaroi zyrtarisht përfundimin e luftës në Irak. Gjithsesi ai theksoi se ndihma për Irakun do të vazhdojë në kuadrin e luftës kundër terrorizmit dhe ruajtjes së stabilitetit të shtetit. Kjo do të thotë se irakianët janë tani vetë përgjegjës për sigurinë në vendin e tyre. Në një fjalim drejtuar kombit presidenti amerikan Obama deklaroi se misioni ushtarak në Irak përfundoi: "Misioni luftarak në Irak përfundoi. Operacioni për paqen në Irak mori fund dhe irakianët tani e kanë vetë përgjegjësinë për sigurinë e vendit të tyre”, deklaroi Obama në Shtëpinë e Bardhë në Uashington. Sipas tij, SHBA-të kanë paguar një çmim shumë të lartë për të ardhmen e Irakut, por tani është koha që vëmendja të përqendrohet te ekonomia. “SHBA-të paguan një çmim të lartë për t'ia dhënë në duart e veta popullit irakian të ardhmen e Irakut. Ne dërguam atje djemtë dhe vajzat tona, që bënë sakrifica të mëdha dhe kemi shpenzuar atje shuma gjigante, ndërkohë që në vend buxheti është i ulët”. Sipas presidentit Obama, detyra më e rëndësishme tani është rimëkëmbja e ekonomisë amerikane. Kostot e jashtëzakonshme të luftës kanë bërë që investimet në SHBA të lihen pas dore dhe borxhet të ngrihen në një nivel tepër të lartë, tha presidenti amerikan. Duke folur për paraardhësin e tij, Obama tha se askush nuk mund ta vinte në dyshim dashurinë e presidentit Bush për vendin apo angazhimin e tij për sigurinë, megjithatë ai tha se forca dhe ndikimi i Amerikës në botë duhet mbështetur fuqimisht tek begatia brenda vendit. Lufta ka kushtuar mbi një trilion dollarë, fonde të siguruara përgjithësisht përmes borxhit të jashtëm. Presidenti tha se kjo kishte çuar në uljen e investimeve në vend dhe kishte kontribuar në shifrat rekord të defiçitit. Ai tha se rimëkëmbja e ekonomisë ishte përgjegjësia e tij qendrore. Obama përsëriti dy premtimet e tij: tërheqjen e gjithë forcave amerikane nga Iraku deri në fund të vitit të ardhshëm dhe fillimin e tërheqjes së trupave nga Afganistani në korrik. Kështu në Irak do të vazhdojnë të qëndrojnë rreth 50.000 ushtarë amerikanë që do të merren me shkollimin dhe trajnimin e kolegëve të tyre irakianë. Sipas planit ata pritet të largohen nga Iraku vitin e ardhshëm.

Fillon në Irak operacioni “Agimi i Ri”

Nënpresidenti amerikan Xho Bajden dhe Sekretari i Mbrojtjes, Robert Gejts, morën pjesë në ceremoninë në Irak, e cila shënoi fillimin e operacionit “Agimi i Ri”, emër i ri për misionin e ushtrisë së Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar dhe këshilluar forcat irakiane. Ceremonia në Bagdad u mbajt pasi presidenti Barak Obama formalisht shpalli se Shtetet e Bashkuara i kanë përmbyllur operacionet luftarake në Irak. “Operacioni Liria e Irakut mori fund, por angazhimi amerikan në Irak do të vazhdojë me misionin që fillon sot: Operacionin Agimi i Ri. Kjo ceremoni jo vetëm që e shënon ndërrimin e komandës, por edhe fillimin e një kapituli të ri në marrëdhëniet me Irakun”, tha Bajden. Gjatë ceremonisë, gjenerali Rej Odierno, zyrtarisht ia dorëzoi komandën e afro 50 mijë trupave amerikane në Irak gjeneralit Llojd Ostin, i cili ashtu si Odierno, ka shërbyer në Irak që nga invazioni në mars të vitit 2003. Më herët, Gejts deklaroi se Shtetet e Bashkuara në Irak nuk janë më në luftë.

2 Shtator 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›