Përfundoi mitingu
Me mbajtjen e orës së madhe letrare, ku vargjet e tyre i lexuan mbi 20 poetë nga
mbarë hapësira shqiptare dhe ata ndërkombëtarë (poetë mysafirë nga Greqia e Zvicra) e
ku siparin e hapi bardi i poezisë shqipe Ali Podrimja, si dhe me ndarjen e shumë çmimeve në Gjakovë, ka përfunduar Mitingu i 47- të i Poezisë.
Në bazë të vendimit të jurisë, poeti pejan që jeton dhe vepron në Belgjikë Jeton Kelmendi me vëllimin e tij poetik “Rrugëtimi i mendimeve”, ka marrë çmimin për përmbledhjen më të mirë të poezive të botuar mes dy mitingjeve. Ai mori çmimin, i cili për herë të parë ndahet këtë vit me emrin e poetit Din Mehmeti (ka ndërruar jetë më 12 nëntor të vitit të kaluar), i cili 47 vjet më parë ishte njëri nga themeluesit e këtij mitingu.
Juria e klubit letrar “Gjon Nikollë Kazazi” e përzgjodhi poetin grek Dino Kubatis për poezinë më të mirë të lexuar gjatë orës së madhe letrare, atë me titull “Unë nuk isha aty, unë nuk isha në Kosovë”. Poetesha Anrila Spahija, e njohur me emrin e saj artistik Ana Kova, mori çmimin “Yllka Domi” si krijuese e re më e suksesshme. Ndërsa shtëpia botuese “Fan Noli”shpërblimin për vepër jetësore ia dha poetit gjakovar Rexhep Hoxha.
Në fund të kësaj ngjarje të madhe letrare, organizatori i Mitingut, klubi letrar “Gjon Nikollë Kazazi” ka ndarë disa mirënjohje post-mortum për poetët gjakovarë që
i kanë dhënë shumë letërsisë shqiptare.
Pas "Javës së Mitingut”, që filloi me promovimin e disa veprave letrare dhe pas takimit të shkrimtares së njohur Brunilda Zllami me lexuesit, dhe mbajtjes së një orë letrare në qytetin e Bajram Currit, pjesa kryesore e Mitingut është zhvilluar dje me shumë aktivitete. Siparin e hapi tribuna shkencore me temën “Poetika e Din Mehmetit”, ku nga studiuesit dhe kritikët letrar të njohur ai është vlerësuar si një nga poetët më të rëndësishëm shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit XX- të.