E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: ”Nuk duhet të ketë kritika për ndryshimet kushtetuese”



Një ditë pas miratimit nga Kuvendi të ndryshimeve kushtetuese, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli i ka cilësuar ato si histori. Duke folur për mediat, Topalli tha se në sajë të kësaj reforme historike dhe të konsensusit të jashtëzakonshëm që u arrit, nuk do të ketë më mundësi klientelizmi politik në zgjedhjet politike, nuk do të ketë më mundësi deformimi të votës. Njëkohësisht Topalli u shpreh se ndryshimet janë të duhura dhe se nuk ka kuptim që ato të kritikohen. “Në fakt ne i kemi qëndruar principeve, principit të rënies së ‘Dushkut’, principit të hapjes së një faze të re të stabilitetit, principit të Republikës parlamentare dhe principit të dhënies së peshës të votës, që i takon çdo qytetari, në çdo zonë të Shqipërisë. Nuk ishte thjesht një konsensus vetëm midis PD-së dhe PS-së ishte shumë më i gjerë, shifra prej 117 është unike, në këto 17 vite të parlamentarizmit”, - tha Topalli.

PDK, Ndue Shpani, kreu i Grupit të ri Parlamentar

Partia Demokristiane ka njoftuar ditën e djeshme zyrtarisht se duke filluar nga data 22 prill 2008 kryetar i Grupit Parlamentar të saj do të jetë deputeti Ndue Shpani, njëherësh sekretar i Përgjithshëm i PDK. Sipas PDK-së, Shpani është një nga deputetët kryesorë të zgjedhur nën siglën elektorale të PDK-së dhe me aftësinë e formimin e tij politik është një garanci për rritjen e cilësisë së përfaqësimit të kësaj partie në parlament. PDK e ka cilësuar vendimin për të pranuar dorëheqjen e ish kryetarit të Grupit Parlamentar, Pashk Ujka si të drejtë pasi ish-kryetari ka mbajtur qëndrime personale dhe të përsëritura politike kundër vullnetit politik të grupit parlamentar si dhe paaftësisë së tij për të menaxhuar dhe drejtuar me kompetencë grupin parlamentar. “Me prezencën e vet parlamentare dhe nën drejtimin e kryetarit të ri të grupit, PDK do të vijojë të luajë një rol të rëndësishëm politik, si një nga partitë kryesore në koalicionin qeverisës dhe një parti me shtrirje të gjerë e të qëndrueshme elektorale”, - thuhet në njoftimin e PDK-së.

23 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›