E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafiku i armëve Shqipëri-Kosovë, 5 në pranga pas operacionit “DUNGU”

Mitrovicës ishte destinacioni i municioneve të mara në Burrel. Bashkë me matjanët u arrestuar në flagrancë edhe dy porositësit kosovarë

TIRANË – Zbulohet rrjeti i trafikut të armëve nga Shqipëria në Kosovë. Sipas policisë disa persona ishin prej disa kohësh në vëzhgim nga agjentët e antitrafikut, por vetëm dje falë një operacioni të suksesshëm kanë rënë në pranga. Burime të sigurta thanë për gazetën “Albania” se janë arrestuar në flagrancë pesë persona, dy prej të cilëve kosovarë, gjatë operacionit të koduar “Dungu”, për akuzuat “trafik të paligjshëm të armëve dhe municioneve”, si dhe për ”dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”.
Të arrestuarit
Burime zyrtare të policisë, bënë të ditur dje se “në prangat e policisë kanë rënë Naim Dungu, 42 vjeç, Shaban Sulmeta, 46 vjeç, me detyrë nënoficer pranë një Reparti Ushtarak (Burrel), Behar Dungu, 33 vjeç, të tre nga Burreli, si dhe shtetasit kosovarë Arben Beka, 18 vjeç e Ali Peci, 38 vjeç”. Të njëjtat burime thanë se ata u kapën në flagrancë në dalje të qytetit të Burrelit, duke udhëtuar në drejtim të Tiranës. Në bazë të hetimeve të realizuara nga strukturat antitrafik të policisë së kryeqytetit, u konkludua se rruga e shtrirjes së trafikut të armëve e municioneve, ishte nga qyteti i Burrelit për në drejtim të Mitrovicës, Kosovë. Gjithashtu, sipas hetimeve, dyshohet se Arben Beka dhe Ali Peci, i siguronin armët dhe municionet nga Naim Dungu, Behar Dungu dhe Shaban Sulmeta. Gjatë momentit të arrestimit atyre iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 automatik model 56, 6320 copë fishekë model 56, dhe model 54, automjeti tip “Audi” me targa të Kosovës, 1 motoçikletë tip “Madens” si edhe shuma e parave prej 350 eurosh dhe 21 200 lekësh e një pasaportë në emër të Naim Dungut.
Operacionet
Kjo nuk është hera e parë kur ushtarakët bëhen protagonistë të trafikimit të municioneve luftarake. Në mars të vitit kaluar katër ushtarakë u arrestuan për trafik municionesh pasi ata shfrytëzonin repartet ku punonin për të siguruar fishekët. Detyra e tyre ishte transportimi i fishekëve drejt Kosovës. Në mënyrë krejt rastësore, policia u ka bërë me shenjë atyre që të ndalojnë dhe më pas u ka hedhur prangat. Kontrollet e zhvilluara pas arrestimit në banesat e tyre dhe në makina kanë zbuluar arkat me fishekë luftarakë. Burimet deklaruan atëherë se bëhet fjalë për fishekë automatikësh kallashnikov dhe mitralozash të lehtë, dykëmbësh. Gjatë ditëve të ardhshme do të hetohet në lidhje me implikimin ose jo të personave të tjerë në këtë rrjet të trafikut të municioneve luftarake në drejtim të Kosovës.

DISA OPERACIOPNE

“KOKRRA E ULLIRIT”
Policia godet një rrjet të trafikut të armëve me Greqinë, shtatë persona, mes të cilëve edhe porositësi grek, përfundojnë në pranga. Operacioni i koduar “Kokrra e ullirit” është finalizuar me bllokimin e makinës me targa të huaja, që po transportonte armë të llojit kallashnikov në drejtim të Selanikut

“STRELA 2M”
Tre të pandehur u arrestuan mesditën e 13 dhjetorit të vitit 2004 në periferi të kryeqytetit me tre raketa të tipit “Strela 2M” në automjetin që drejtohej prej Admir Troshanit. Raketat ishin marrë në Mal të Zi kundrejt një pagese prej 800 eurosh

“BLOW”
Disa persona u arrestuan në afërsi të Durrësit me 64 pistoleta të llojit “Blow”, më 6 dhjetor të vitit 2005. Operacioni ka qenë i stimuluar dhe agjentët kanë pasur nën vëzhgim anëtarët e rrjetit, për një kohë të gjatë, pasi një polic u maskua si blerës

23 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›