Përfundojnë provimet e maturës, nisin ethet e universitetit
Përfundoi edhe provimi i dytë dhe i fundit i maturës shtetërore për të gjithë maturantët e vendit tonë. Ajo çfarë ju ka mbetur është publikimi i rezultateve të këtyre provimeve që ende nuk është bërë e ditur se kur do të shpallen. Tani këto maturantë janë të pushtuar nga ethet e konkurrimit për në universitete. Rreth 40 mijë maturantë u testuan dje për lëndën e detyruar të Maturës Shtetërore, atë të matematikës.
Sipas Agjencisë Qendrore të Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve, ky test përmbante 25 pyetje, të cilat do të vlerësohen maksimalisht me 50 pikë. U parashikua që 60 për qind e tezës së provimit do të ishte nga temat tashmë të shpërndara në programet orientuese për lëndët e provimit. Profili i shkollës së mesme do të specifikojë dhe llojin e testit që maturanti do të plotësojë në ditën e provimit. Po në varësi të profilit është detajuar dhe shkalla e vështirësisë së pyetjeve. Bazuar në skemën hartuese për çdo linjë të përmbajtjes, do të përfshihen kërkesat e tri niveleve të vështirësisë, në raportet 2:2:1(duke filluar prej nivelit minimal). Pyetjet e testit do të jenë dy llojesh: me zgjedhje të shumëfishtë dhe me shtjellim të argumentuar. Me mbylljen e këtij provimi, rregullorja për 2009-n përcakton se kanë të drejtë të kandidojnë për të vazhduar studimet në institucionet e arsimit të lartë publik vetëm nxënësit që vlerësohen kalues në të katër provimet e Maturës Shtetërore ,dy provimet e detyruara dhe dy provimet me zgjedhje.