Mbërrin i nxehti, nisin problemet e para me shëndetin
Me ardhjen e ditëve të nxehta të sezonit të verës kanë nisur edhe problemet e para të shëndetit. Temperaturat e larta kanë shkaktuar komplikacione të ndryshme shëndetësore te qytetarët. Janë mjekët ata të cilët paralajmërojnë që çdo person duhet të jetë i kujdesshëm ndaj temperaturave të larta si dhe ndaj rrezeve të forta të diellit. Këshillat e tyre më kryesore janë që çdo person duhet ti shmaget lëvizjeve në pikun e vapës si dhe të konsumohet sa më shumë ujë.
Të moshuarit dhe fëmijët janë ata që kanë problemet më të mëdha dhe që rrezikohen më shumë nga temperaturat e larta, virozat e stinës, problemet me shëndetin. Në kohën kur temperaturat maksimale janë 33 gradë Celsius, të moshuarit dhe fëmijët nuk duhet të dalin gjatë ditës, përveç së në mëngjes dhe në darkë. Ndërkohë që mosha e tretë duhet të zbatojë me rigorozitet rregullat e higjienës, prindërit nuk duhet ti veshin trashë fëmijët, duhet ti bëjnë banja të freskëta të paktën katër herë në ditë, ti ushqejnë ata me lëngje, vitamina dhe ti shëtisin në vende të freskëta dhe me gjelbërim. Sakaq, te moshuarit nuk duhet të konsumojnë pije alkoolike, pije me përmbajtje kafeine. Mosha e tretë duhet të shmangë daljen në pikun e diellit dhe punët e rënda. Shqetësimet shëndetësore nuk duhen anashkaluar. Secili duhet të paraqitet menjëherë te mjeku për çdo komplikacion të gjendjes shëndetësore dhe të mos kërkojë ndihmë te farmacisti më i afërt. I gjithë vendi është pushtuar nga temperaturat e larta, ku në disa qytete të vendit termometri ka shënuar 35 gradë celsius. Gjatë fundjavës pritet një ulje e temperaturave me 1 deri në 2 gradë celsius, por që nuk do të zgjasë shumë pasi meteorologët parashikojnë që fillimi i javës së ardhshme të jetë i nxehtë. Në këto ditë të nxehta vera specialistët këshillojnë konsumimin e ujit si dhe të zarzavateve dhe frutave. Një person me peshë normale duhet të konsumojë mesatarisht 2 litra ujë në ditë dhe nëse është mbi peshë për çdo 10 kilogram duhet të konsumojë një gotë ujë. Specialistët sqarojnë se uji nuk të shëndosh pasi nuk ka kalori dhe nuk sjelle fryrje të këmbët. Ai ndikon shumë mirë në heqjen e helmeve por edhe rregullon temperaturën e trupit. Nëse një person ka mungesë të ujit ai ndjen tharje të gojës, por edhe këputje e pagjumësi ndaj në këto ditë është e domosdoshme konsumimi i ujit. Shqetësimet e shumta kanë rritur edhe numrin e pacientëve nëpër spitale. Gjatë ditëve të para që janë shoqëruar edhe nga temperaturat e larta, ka pasur fluks pacientësh në spitale. Kryesisht në pediatri pasi fëmijët janë më të ndjeshëm ndaj të nxehtit. Gjithashtu edhe kardiologjia ka pasur një numër të konsiderueshëm pacientësh ku më tepër kanë qenë moshat e thyera. Ndaj dhe mjekët paralajmërojnë sa më shumë kujdes kundrejt këtyre grupmoshave.