Qeveria miraton kalimin e pronësisë së parcelave ndërtimore te poseduesit
Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e fundit kalimin në pronësi të poseduesve të objekteve informale, të sipërfaqeve të parcelave ndërtimore. Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë, për kryerjen e procedurave të kalimit të pronësisë nga shteti te poseduesi i ndërtimit pa leje ngarkohet Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale. Sipërfaqet e parcelave ndërtimore sipas qarqeve janë; në qarkun e Tiranës, 2 918 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 881 249, 29 m2. Në qarkun e Beratit, 162 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 46 536,25 m2.
Në qarkun e Elbasanit, 459 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 110 314,18 m2. Në qarkun e Fierit, 250 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 67 027,15 m2. Në qarkun e Durrësit, 713 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 252 313,93 m2. Në qarkun e Lezhës, 345 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 73 299,85 m2. Në qarkun e Dibrës, 30 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 9 800 m2. Në qarkun e Gjirokastrës, 58 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 6 798,20 m2. Në qarkun e Korçës, 12 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 3 234,26 m2. Në qarkun e Kukësit, 166 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 76 535,87 m2. Në qarkun e Vlorës, 1 408 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 561 353,56 m2. Po gjatë mbledhjes së djeshme, qeveria shqiptare ka miratuar vendimin Për miratimin e tarifave të përdorimit të kullotave dhe livadheve për kullotje dhe kositje duke e ulur atë sipas kategorive nga 2-4 herë. Vendimi ka si qëllim miratimin e tarifës nën 1 euro për dhënien në përdorim të kullotave dhe livadheve shtetërore, për kullotjen e bagëtive dhe kositje bari, duke synuar lehtësimin e blegtorëve shqiptarë. Nga aplikimi i kësaj tarife, do të përfitojnë drejtpërsëdrejti komunat, bashkitë, si dhe sektori shtetëror i administrimit të kullotave, si dhe subjekte private që kontraktojnë çdo vit marrjen me qira të kullotave shtetërore e që janë të interesuar për rritjen e treguesve cilësorë të administrimit të tyre. Për zbatimin e këtij vendimi, ngarkohen Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe organet e qeverisjes vendore. Ndërkohë që vendimi Nr.887, datë 19.12.2007, i Këshillit të Ministrave, Për miratimin e tarifave të përdorimit të kullotave dhe livadheve shtetërore për kullotje dhe kositje, shfuqizohet.