E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfundon "Shqipëria është kulturë" dalin 15 fitues

11/05/2010 Pjesëmarrës të moshave nga 16-25 vjeç

Katër net spektakël, katër net performim dhe kësisoj edhe emocion. Shqipëria është kulturë, ishte projekti që përfundoi me një sukses të garantuar në kodrinat e odeonit antik të Apolonisë. Një aktivitet ky që i solli për të parën herë një gjallëri konkrete qytetit antik të Apolonisë, i cili mbetet një nga vlerat më të jashtëzakonshme të Fierit. Për katër net me radhë në skenën e improvizuar në ambientet e odeonit u ngjitën të rinj dhe të reja nga e gjithë Shqipëria, të cilët konkurruan në fusha të ndryshme si këngë, recitim, aktrim, valle, aerobi, krijime letrare etj. Por nuk ishte vetëm kaq magjia e këtij evenimenti kulturor që përcolli edhe jashtë kufijve shqiptare mesazhin se shqiptarët kudo që ndodhen në çdo skutë të Shqipërisë, dinë të jetojnë në art, dinë të sfidojnë kohët e padëshiruara dhe probleme të natyrave të ndryshme. Në netët e para dhe të dyta u ngjitën në skenë emra dhe zëra të njohur nga të gjitha qytetet e Shqipërisë. Gara filloi të bëhej më e ethshme në netët e treta dhe të katërta ku në skenë u ngjitën përveç finalistëve konkurrues edhe emra të këngëtarëve më në zë shqiptar, të cilët sollën një tjetër puhizë, atë të traditës shqiptare, të cilët ndër breza kanë ditur t’i këndojnë dashurisë, jetesës, brengës, madje edhe në kohë luftërash . Ky organizim i Ministrisë së Punëve të Jashtme, ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Bashkisë Fier, Universitetit të Turizmit erdhi me një sukses të garantuar. Pas shumë vitesh histori dhe epokë, Apolonia u bë vendi më i rëndësishëm i kësaj zone. Evenimenti artistiko-kulturor “Shqipëria është Kulturë” kishte protagonistë të rinj shqiptarë nga mosha 16 vjeç deri në 25 vjeç. Një ndër qëllimet kryesore të këtij konkursi ishte përfaqësimi i vlerave artistike dhe kulturore të vendit tonë në Evropë dhe gjetkë, nëpërmjet të rinjve shqiptarë. Fituesit u kurorëzuan me çmimin "Ambasadorët e Kulturës shqiptare". Juria përbëhej nga anëtarët: Ardian Marashi, Drejtor i Qendrës së Studimeve Albanologjike, Agron Xoxa, studiues dhe drejtor artistik i spektaklit, Agim Doçi, poet, Kastriot Cipi, regjisor, Agim Duro, këngëtar, Genc Shkodrani, skenograf, Albert Janku, balerin, Magda Pogace, muzikologe, Universiteti “La Sapienza”, Rome.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›