E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita të zgjedhë: Gjykatat ose hetimin

11/05/2010 Kryeministri Sali Berisha i shtrin dorën opozitës për gjetjen e kompromisit politik

“Opozita të dërgojë pretendimet në Kushtetuese, Strasburg ose të marrë pjesë në hetimin parlamentar”

Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se ngërçi politik mund të kapërcehet vetëm duke respektuar Kushtetutën e vendit. Duke folur në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, ai tha se mazhoranca i ofron dy mundësi opozitës për të kapërcyer këtë situatë: dërgimi i pretendimeve në Gjykatën Kushtetuese ose në Strasburg; pjesëmarrja e opozitës në komisionin e posaçëm parlamentar për të hetuar procesin zgjedhor. “Të vlerësojë propozimin e Këshillit të Evropës e të Byrosë së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës si një propozim tërësisht mbi palët, si një propozim tërësisht në të mirën e vendit, por edhe të Partisë Socialiste dhe të palëve, ku i kërkohet zotit Rama t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe, në rast se kjo e fundit e gjykon të arsyeshme, t’i drejtohet Strasburgut. Në rast se nuk i pëlqen ky variant, të vijnë në komisionin parlamentar”, - ka thënë Berisha. Ai theksoi se mazhoranca i mbetet qëndrimit të saj fillestar për t’i lënë opozitës drejtimin e komisionit dhe të ketë shumicën në çdo votim të komisionit. Gjatë mbledhjes së grupit Berisha nuk ka përmendur dy ofertat e tjera ndaj opozitës të bëra publike ditët e fundit: hetimin e zgjedhjeve nga 100 prokurorë të pavarur dhe lënien në dorë të opozitës të të gjitha ndryshimeve ligjore në Kodin Zgjedhor. Megjithatë, këto janë dy çështje që Berisha i ka përmendur disa herë. Kryeministri Berisha theksoi se opozita ka të drejtën e hetimit parlamentar, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet që rrjedhin prej saj. Sipas tij, opozita mund të hetojë dhe të bëjë transparencën e çdo gjëje, por në përputhje me ligjet e vendit, që mundësojnë deklasfikimin e çdo dokumenti, mjafton që mazhoranca t’i ndjekë ato. Kryeministri theksoi se një pjesë të çështjeve që dalin direkt ta ndjekin anëtarët e komisionit, pjesën tjetër që dalin me fakte ta ndjekin organet e prokurorisë. “Një gjë është e sigurt, mund të kërkosh çdo gjë nga unë, por unë gjykatës dhe prokuror nuk mund të bëhem. Dhe ka deputetë në këtë sallë dhe bashkëpunëtorë të mi që do ta kishin dëgjuar këtë qëndrim të përsëritet nga unë, jo vetëm që unë përballem me kundërshtarin tim, por në mënyrë absolute, në mënyrën më të përsëritur nga 1992-shi e gjer më sot, sa herë jam përballur dhe me bashkëpunëtorët e mi, kam pasur një fjalë: unë nuk jam as prokuror, as gjykatës, as nuk mund të jem”, - ka thënë ai. Duke iu referuar grevës së urisë, shefi i ekzekutivit u shpreh se nuk do ta kishte këshilluar ndonjëherë një gjë të tillë, por vendimi është marrë nga drejtuesit e opozitës dhe është jashtë çdo lloj kompetence të kryeministrit.

Berisha: Rama të lejojë mjekët

Kreu i qeverisë i ka kërkuar kryesocialistit Rama që të lejojë autoritet shëndetësore zyrtare të kujdesen për grevistët. “Në historinë e njerëzimit nuk ka ekzistuar kurrë një situatë e tillë, ku një parti politike mbyll dyert, privon nga kujdesi shëndetësor njerëzit që ka ngujuar në grevë urie. Kjo përbën një shkelje të të gjitha akteve kombëtare dhe ndërkombëtare të qëndrimit ndaj të ngujuarve, të qëndrimit ndaj grevistëve, të qëndrimit ndaj cilitdo që ka nevojë për kujdes shëndetësor”, - ka thënë Berisha. Ai e ka vlerësuar si shkelje të rëndë angazhimin e disa mjekëve, sipas tij militantë socialistë. “Po bëjnë shkelje shumë të rëndë duke shërbyer si një perde e zezë midis sistemit shëndetësor, që është i detyruar me Kushtetutë të garantojë të gjitha shërbimet ndaj grevistëve”, - tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›