Hetim për avionin që devijoi udhëtimin
Përfundon aventura ajrore e 110 shqiptarëve të cilëve iu desh të flinin një natë në Bratislavë, pasi pilotët e avionit me të cilin ishin nisur nga Tirana vendosën të ndryshonin kurs në shenjë proteste që nuk u ishin dhënë pagat. Një hetim i detajuar i ngjarjes është njoftuar ndërkohë nga Drejtori i Përgjithshëm i Aviacionit Civil Ervin Mazniku. “DPAC-ja (Drejtoria e Përgjithshme e Aviacionit Civil) do t’i shkojë deri në fund hetimit të ketij incidenti të rëndë”, tha në një deklaratë për shtyp Mazniku.
Ndërkohë ai njoftoi se 110 pasagjerët shqiptarë mbërritën në Bolonja dje pasdite, pas 15 orë qëndrimi në aeroportin e Bratisalvës. Sipas informacioneve zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Aviacionit Civil ka qënë një avion i tipit Airbus 320 me numër fluturimi LV 116 i cili ka marrë gjithë pasagjerët shqiptarë nga Bratislava, ndërkohë që rreth orës 17.00 ata kanë mbërritur në Bolonja. Kompania ajrore shqiptare është shfajësuar duke thënë se ajo çfarë ndodhi ishte për probleme teknike të brendshme të kompanise sllovake, por rrethanat e ngjarjes mbeten ende të paqarta.
Hetimi
Kreu i DPAC Ervin Mazniku nënvizoi se rasti në fjalë “është një ngjarje e rëndë për aviacionin shqiptar”. Ai tha se autoritetet Sllovake po përgatisin një raport të hollësishëm për situatën, raport i cili do të mbërrijë shumë shpejt edhe në Shqipëri. Ndërkohë kompania shqiptare Albania Airlines përgjegjëse për këtë rast ia ka deleguar fajit kompanisë sllovake. Kompania shqiptare pretendon se incidenti i rëndë është shkaktuar nga një problem në kompaninë sllovake dhe jo përshkak të saj, sidoqoftë situata mbetet ende e paqartë. Autoritet shqiptare njoftojnë se një hetim paraprak është nisur edhe nga ana e Sllovakisë dhe pritet që shumë shpejt të ketë detaje rreth fatit të fluturimit që duhej të përfundonte në Bolonja. Ndërkohë që nga Shqipëria drejtuesit e aviacionit civil theksojnë se ngjarja ka marrë një vlerësim maksimal. “Më duhet të sqaroj se, ajo që ka ndodhur mbrëmë me avionin dhe ekuipazhin e kompanisë Air Slovakia, të kontraktuar nga ana e kompanisë Albanian Airlines është një rast mjaft i rëndë në historinë e aviacionit civil shqiptar dhe atë ndërkombëtar”, ka deklaruar kreu i DPAC. Ndërkohë ai ka theksuar se për t’ju përgjigjur sa më shpejt situatës së krijuar të dielën ishin angazhuar strukturat shtetërore të Ministris së Transportit dhe Telekomunikacionit, Ministrisë së Jashtme, Agjensia Kombëtare të Trafikut Ajror, Ambasadës së Shqiperisë në Viene dhe Pragë si dhe konsulli i nderit i Sllovakisë në Shqipëri. Ai gjithashtu ka njoftuar se hetimet për këtë çështje do të kryhen nga Bordi Sllovak i Mbikqyrjes së Incidenteve dhe Aksidenteve, nën juridiksionin e të cilit bie incidenti në fjalë. Sipas Mazniku pala sllovake po verifikon rrethanat e incidentit si dhe ka kërkuar raport të hollësishëm nga Air Slovakia, kompania nga ku Albania Airlines kishte marrë me qira avionin. “Sipas kontakteve që kemi bërë me ta ky raport pritet të vijë së shpejti”, ka njoftuar Mazniku ndërsa ka garantuar hetim të hollësishëm dhe gjithashtu edhe se DPAC do të vërë në dijeni organet kompetente të Komunitetit Europian përgjegjëse për Sigurinë në fluturim.
Ngjarja
Aventura e shqiptarëve që filloi pasditen e së dielës vijoi edhe gjatë ditës së djeshme ku për shkak të motit të keq dhe dëborës ata qëndruan thuajse deri në mbrëmje në aeroportin e Bratislavës. Autoritet shqiptare deklaruan se ishin marrë masat e duhura për t’u ardhur në ndihmë pasagjerëve dhe se me fluturimin për në Bolonja ishte kryer edhe misioni i përkujdesjes ndaj tyre. Ministria e Jashtme dërgoi ambasadorin në Vjenë dhe sipas zëdhënësit të kësaj ministrie ai qëndroi gjatë gjithë natës me pasagjerët. Pasagjerët e avionit që duhej të shkonte nga Tirana në Bolonja e kanë parë vetën “të marrë peng”, edhe pse pengmarrësit ishin vetë pilotët e avionit. Të alarmuar nga fakti që nuk po uleshin në Bolonja në orën 18:00 ashtu siç edhe ishte programuar ata kanë lajmëruar të afërmit e tyre, ndërsa në telefon kanë thënë se arsyeja që nuk po uleshin në qytetin italian nuk u ishte komunikuar dhe u ishte thënë se kishte një defekt. Ministria e Transportit dhe Telekomunikacionit në një njoftim për shtyp bëri me dije se avioni ishte nisur normalisht nga Rinasi. “Është nisur nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës “Nënë Tereza”, në orën 16:31 sipas orës lokale dhe është ulur ne aeroportin e Bratislavës – Republika Sllovake”, - thuhej në njoftim. Ministria sqaroi se “deri në momentin e daljes nga hapësira ajrore e Republikës së Shqipërisë, avioni ka fluturuar sipas planit të aprovuar të fluturimit nga autoritetet shqiptare me destinacion Bolonjën”. Pasagjerët kanë pohuar se përndryshe nga sa ishte parashikuar ata si kanë qëndruar njëfarë kohe pezull në Bolonja janë kthyer dhe janë ulur në aeroportin sllovak të Bratislavës. I gjithë udhëtimi që nuk duhej të zgjaste më shumë se një orë e gjysmë është kthyer në një tre orësh ankthi. Pasagjerët në fakt duket se kanë qenë të lumtur që më në fund kanë bërë ulje të detyruar në Bratislavë, edhe pse kjo ndodhet mjaft kilometra larg destinacionit fillestar.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme: Përfaqësuesi ynë qëndroi me pasagjerët deri sa u zgjidh situata
Në një intervistë për një televizion në Tiranë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme ka njoftuar interesimin dhe ndihmën që kjo ministri u dha pasagjerëve të avionit që devijoi rrugën të dielën pasdite. “Jemi të lehtësuar dhe të lumtur që u arrit një zgjidhje për pasagjerët, pas një odiseje të lodhshme e të tejzgjatur, si për pasagjerët, ashtu edhe për ekipin tonë të Ministrisë së Jashtme në terren, që u është gjendur pranë pasagjerëve në çdo moment gjatë orëve të natës”, tha Ralf Gjoni. Ai ka theksuar se ka pasur një interesim të jashtëzakonshëm nga ana e Ministrisë së Jashtme që ka urdhëruar praninë e përfaqësuesit shqiptarë në Vjenë pranë pasagjerëve. Gjoni ka theksuar se ky përfaqësues u është gjendur pasagjerëve dhe ka ndihmuar në akomodimin e tyre dhe ka qëndruar bashkë me ta deri në nisjen për në Bolonja. “Do doja të theksoja gjithashtu që kemi patur një bashkëpunim shumë efikas edhe me Ambasadorin dhe Konsullin e Nderit sllovak në Tiranë, të cilët mundësuan kontaktin e drejtpërdrejtë me Ministrinë e Jashtme sllovake dhe vetë Ministrin Lajçek, i cili ngarkoi një ekip të posaçëm për të verifikuar ngjarjen dhe për të siguruar asistencën e nevojshme” ,a theksuar Gjoni duke përmendur edhe vizitën që Lajçek pritet të mbajë sëshpejti në Tiranë.