Rrëfimi i punëtores së Gërdecit: Doja të digjesha bashkë me familjen
Punëtorët e fabrikës së demontimit të fishekëve në Gërdec kanë treguar se gjatë punës së tyre kanë ndodhur aksidente. Në seancën e zhvilluar ditën e djeshme në gjykatën e Shkollës së parë në Tiranë, u dëshmua se të pranishëm në fabrikë kanë qenë edhe shtetas amerikanë. Sipas njërës prej dëshmitareve të marra në pyetje, në fabrikë ka pasur makineri, ndërkohë që ka pohuar se ka parë edhe shtetas të huaj. Njëra prej punëtoreve Drita Cani dëshmoi gjatë procesit gjyqësor, tragjedinë që i kishte ndodhur. “Një ditë përpara kam qenë duke punuar me burrin kur nxirrnim shufrat e barutit, kur më ra në syrin e majtë. Kam shkuar në spitalin e Vorës dhe jam mjekuar. Të nesërmen në vendin tim ka shkuar vajza ime, Tixhe Cani”, tha ajo duke vazhduar rrëfimin. “Ditën e ngjarjes kam qenë në banesë, kam parë flakën e zjarrit dhe jam drejtuar për në fabrikë që të digjesha dhe unë me familjen. Bashkëshorti Hysen Cani mu vra, vajza Hatixhe dhe djali Jetmir mu dogjën. Edhe sot e kësaj dite janë të djegur dhe po mjekohen.”
Dësmitarja Rubie Gërdeci tregoi minutat e ankthit gjatë momentit të shpërthimit në fabrikë. “Ishte ora 11:45. Kam pasur dy thasë për t’i transportuar, kur drejtori na tha që do të bëni pushimin e drekës. Ne ishim vetëm 10 metra nga vatra e zjarrit. Zjarri nga kapi nga mbrapa, të tërhiqte, ishte e kotë të ikje. Pasi jam rëzuar në tokë dhe më kanë ngritur kam ikur deri në spitalin e Maminasit me vrap, më pas më ka marrë ambulancë dhe e kam parë vetën në spitalin “Nënë Tereza”. Jam djegur në kokë dhe në trup. Kam ndenjur dy muaj në spital, të gjithë ndihmën mjekësore e kam paguar vetë, pasi nuk kam qenë e siguruar.”,tha Rubie Gërdeci gjatë seancës së djeshme. I.Hysenaj