E Diel, 1 Nëntor 2026

Të pakënaqur me Projektligjin për pensionistë

Nga Express më 04 shtator 2011 në ora 18:38

Përkundër kontributit të madh që kanë dhënë për ndërtimin dhe zhvillimin e Kosovës, pensionistët vazhdojnë të jenë shtresa, e cila gëzon më së paku mbështetje institucionale.

Pensionistët e Pejës shprehen të pakënaqur me projektligjin që parashihet të miratohet gjatë kësaj vjeshte në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ata thonë se kanë punuar tërë jetës, por sot kjo kategori e shoqërisë sonë gëzon të ardhura prej vetëm 45-80 euro në muaj, të cilat nuk dalin as për barna.

Sherif Haliti, kryetar i Shoqatës së Pensionistëve në Pejë, thotë se shuma aktuale e pensioneve nuk mjafton për të siguruar madje as ekzistencën fizike.

“Pensionet nuk plotësojnë kërkesat tona, pasi që kërkohet ushqim, pije, rroba dhe medikamente. Pensioni prej 80 euro nuk mjafton për të mbuluar kërkesat e një pensionisti”, shprehet Haliti.

Ndërkohë që pritet miratimi i Projektligjit për pensionistët, këta të fundit shprehen skeptikë se do të përmirësohen kushtet e jetesës për këtë kategori. Ata u bëjnë apel institucioneve të Kosovës që të rritin interesimin për këtë kategori të lënë pas dore.

“Pensionistët në Kosovë jetojnë në gjendje të mjerueshme. Ne si
shoqatë kemi pakënaqësi të shumta sa i përket ligjit, pasi që ka mangësi të shumta dhe si i tillë duhet të rishqyrtohet para se të hidhet për miratim në Kuvend”, ka thënë Haliti.

Ai, po ashtu, tërheq vërejtjen se nëse nuk merren parasysh kërkesat e pensionistëve, ligji do të jetë i papranueshëm.

“Janë në kontest katër pika të këtij ligji. Kryesia e pensionistëve ka paraparë që niveli i pensioneve të jetë linear dhe me anë të amendamenteve të plotësohet projektligji. Për ne është absurde nëse ligji do të miratohet pa u definuar qartë njëherë”, shprehet Haliti.

Edhe pensionistët tjerë shprehen të irituar me mos seriozitetin e pushtetarëve.

“Kanë premtuar rritjen e pensioneve, por tash askush nuk qan kokën për ne. Çmimet rriten për ditë, por jo edhe pensionet. Madje, pa u miratuar ligji ne nuk gëzojmë as statusin e pensionistit”, shprehet me indinjatë një pensionist pejan.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›