E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfundon parku në "Ali Dem"

Bashkia e Tiranës derdhi nga arka 41 milionë lek për përfundimin e rikonstruksionin e plotë të kësaj zone Rama: Parku është një shembull i transformimit të Tiranës që do të pasohet nga projekte në zona të tjera


Ka përfunduar pas dy vitesh punë rikonstruktimi i Parkut "Ali Demi" në kryeqytet. Bashkisë së Tiranës ju deshën plot dy vite punë dhe një investimi prej afro 41 milion lekësh për të përmbushur një nga projektet më të mëdha publike të këtyre viteve të fundit.


"Parku "Ali Demi" ndodhet në kryqëzimin e rrugëve "Ali Demi" dhe "Idriz Dollaku". Zgjidhja urbane e propozuar, respekton këtë prakticitet duke krijuar një aks të fuqishëm lëvizjeje, sipas këtij drejtimi. Në këtë mënyrë, përftohen dy zona kryesore; zona në lindje të këtij aksi, një zonë e qetë me karakter parku dhe zona në perëndim e zhurmshme e kryesisht me karakter sportiv.


Sipas rikonceptimit të ri parku është i ndarë në tre zona, në mënyrë që aty të ketë hapësira për çdo moshë. Kështu e ashtuquajtura zona e qetë është konceptuar si një hapësirë e përshtatshme për moshat e treta dhe fëmijët. Pjesa më e madhe e sipërfaqes është mbjellë me bar dhe pemë të cilat krijojnë hije.


Aty janë vendosur edhe çezma me ujë të pijshëm dhe stola të cilët janë menduar si elementë të domosdoshëm për zonën e qetë gjatë periudhave të nxehta të vitit. Zona sportive është konceptuar një pistë patinazhi me pedana, e përshtatshme për "skate board", për fëmijët dhe të rinjtë e moshave të ndryshme.


Në hyrje të parkut fillon aksi kryesor i lëvizjes e paralel me të edhe hyrja për në zonën sportive, ku është konceptuar një plan i pjerrët për paraplegjikët. Përgjatë aksit kryesor të lëvizjes është pozicionuar zona e fëmijëve e cila është trajtuar si një gropë rëre me lodra të ndryshme si lisharëse, rrëshqitëse etj.


Ndërsa në fund të parkut ndodhet zona e shërbimit. Është një strukturë e vetme e cila kryen disa funksione si banjo publike për vizitorët, ndërsa ambientet e tjera janë të nevojshme për punëtorët e mirëmbajtjes së parkut.


"Është një kënaqësi e jashtëzakonshme për mua kur shoh gjithë këta banorë, që prej kohësh prisnin këtë hapësirë të re, këtë park për fëmijët dhe gjyshërit, këtë park familjar për të kaluar kohën e tyre të lirë të shoqërizuar në një hapësirë të një cilësie krejt të re bashkëjetese komunitare, që është një tjetër shembull i transformimit të Tiranës dhe një shembull që nuk është i vetmi, por do të pasohet edhe nga të tjerë, në të tjera zona e territore ku ne dëshirojmë që të krijojmë kushtet më të mira për komunitetin dhe për mundësitë që njerëzit të kalojnë së bashku orët e lira.


Është një premtim i dhënë dhe një premtim i mbajtur, është një hap tjetër drejt një Tirane të bashkëjetesës qytetare në çdo komunitet, në çdo lagje", u shpreh dje gjatë inaugurimit të parkut Edi Rama.


Bashkia e Tiranës, ka shpenzuar për përfundimin e punimeve për rikualifikimin urban të Parkut në fushën "Ali Demi" rreth 40. 577. 433 lekë nga arka e saj. Sipërfaqja e sheshit në të cilin është ndërhyrë, llogaritet të jetë plot 10 mijë metra katrorë.


Fusha nga një territori i kthyer në një vend mbeturinash dhe pa asnjë lloj aksesi, aktualisht është transformuar në një ambient rekreativ për komunitetin e zonës. Shtrimi i rrugëve të parkut është realizuar me pllaka të llojeve të ndryshme.


Rruga kryesore e kalimit me sipërfaqe totale 875 m² si dhe rrugët dytësore të kalimit të këmbësorëve me sipërfaqe totale 1164 m² janë shtruar me pllaka dekorative. Ndërsa sipërfaqja e pistës është shtruar me beton të ngjyrave të ndryshme, gjë që ka krijuar një imazh më të larmishëm nga pikëpamja grafike.


Të rinjtë protestojnë kundër papunësisë

Me foto nëpër duar një grup të rinjsh kanë protestuar dje përpara Ministrisë së Punës, Çështjeve sociale dhe shanseve të barabarta. Ata i kanë bërë thirrje përfaqësuesve të kësaj ministrie, politikës dhe publikut të gjerë, që të shohin punën konkrete të Ministrsisë së Punës.


Protesta e djeshme është aktiviteti i radhës që forumi "Rinia Aktive" ndërmerr në kuadër të fushatës "Stop dhe Drejtësi". Protestuesit kanë qenë shumë të drejtpërdrejtë teksa kanë kërkuar që kjo ministri ti jap fund papunësisë.


Disa nga thirrje e të rinjve madje kanë ironizuar edhe me emrin e vetë ministrisë duke e cilësuar atë si Ministria e papunësisë, e çështjeve jo të barabarta dhe shanseve të humbura. "Ky është vetëm fillimi i kësaj fushate të gjatë, ku ne si të rinj do kërkojmë të gjitha të drejtat tona nëpërmjet mjeteve demokratike.


Kur mijëra të rinj enden rrugëve duke lypur, duke shitur fara dhe paketa, duke qenë të pashpresë dhe të pa orientuar ku mund të drejtohen, këto institucinone realizojnë disa politika që ngelen në letër dhe na publikojnë shifra joreale", u shpreh kryetari i Forumit, Dritan Broka.


Pjesëmarrësit në protestën e djeshme, i kanë kërkuar zyrtarëve që të mos rrinë në nëpër zyrat e tyre lukzoze, por të dalin në terren dhe të shohin realitetin, pasi puna e tyre është të ballafaqohen me realitetin në të cilin shqiptarët që ndodhet sot. Kjo sipas tyre është zgjidhja më e mirë e problemit të papunësisë pasi vetëm në këtë mënyrë do të hartoheshin politika që do të orientoni të rinjtë, jo vetëm në armimin e tyre por edhe në tregun e punës.


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›