E Diel, 1 Nëntor 2026

Komiteti i Helsinkit, 969 ankesa për shkeljen e të drejtave të njeriut gjatë 2008

Rreth 969 ankesa nga 437 persona në gjithë Shqipërinë, i kanë mbërritur Komitetit të Helsinkit gjatë periudhës janar-shtator 2008 në kuadrin e funksionimit të Klinikës Ligjore për shërbime falas. Tre grupet kryesore ku është fokusuar ky program janë personat të cilët janë viktima të ushtrimit të dhunës, të trajtimeve dhe degradimeve çnjerëzore të kryera nga punonjësit e policisë, personeli i vendeve të paraburgimit dhe burgjeve si edhe personat të cilët janë cënuar nga e drejta për të pasur një proces të rregullt ligjor. Në ankesat e paraqitura, shtetasit kanë pretenduar për veprime të padrejta nga organet e policisë si ndalime të pajustifikuara, mbajtje pa të drejtë në dhomat e ndalimit dhe të shoqërimit, qëndrim jashtë afateve të parashikuara në ligj, mosvënia në dijeni për të drejtat e tyre në momentin e ndalimit dhe shoqërimit, kushte të këqija të dhomave të ndalimit etj. Por shtetasit janë ankuar edhe për veprimet e organit të prokurorisë. Ata kanë pretenduar për pushim të padrejtë të procedimit penal nga organi i prokurorisë, mosinformim lidhur me ecurinë e hetimeve, pretendime për akuza të pabaza nga prokuroria gjatë procesit te hetimit, mospranim i kallëzimit nga prokuroria. Komiteti i Helsinkit nga ana e tij deklaron se në kuadër të klinikës ligjore, KSHH-ja ka ofruar edhe shërbime ligjore të tjera falas si, asistencë për plotësim dokumentesh, këshillim ligjor, monitorim të proceseve gjyqësore, adresim i problemeve në institucionet shtetërore dhe verifikime.  

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›