E Diel, 1 Nëntor 2026

Përfundon takimi Thaçi-Daçiç, arrihet pajtueshmëri parimore

BRUKSEL- Ka përfunduar takimi mes kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministrit të Serbisë Ivica Daçiç. Bisedimet kanë filluar një ditë më parë me qëllim arritjen e dakordimit për zbatueshmërinë e marrëveshjes së arritur më 19 prill.

“Sapo përmbyllëm takimin. Kemi arritur pajtueshmëri parimore sa i përket planit të implementimit. Ka mbetur që kjo pajtueshmëri të verifikohet në kuadër të Qeverive të Kosovës dhe të Serbisë. Në pajtueshmërinë parimore janë të përcaktuara periudhat kohore dhe aktorët implementues në gjashtëmujorin e ardhshëm”, ka thënë kryeministri Thaçi.

Sipas kryeministrit të Kosovës, kjo marrëveshje e implementimit është në pajtim të plotë me marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve, të arritur muajin e kaluar po nga kryeministrat e dy vendeve.

"Ky është një angazhim kreativ i dy vendeve, por fjalët kryesore i kanë Qeveritë e Kosovës dhe të Serbisë. Në ditët e ardhshme do të takohen ekipet profesionale”, ka thënë Thaçi.

Pas takimit shefja e diplomacisë europiane Ashton është shprehur: Dy kryeministrat ranë dakord për një tekst të përcaktuar dhe po vazhdojnë konsultimet mbi këtë tekst. 

(a.h/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›