E Shtunë, 31 Tetor 2026

Unioni Afrikan ka thirrur një konferencë për të uriturit

Nga Express më 01 gusht 2011 në ora 19:00

Unioni Afrikan ka thirrur më 9 gusht në Addis Adeba një konferencë donatorësh për të luftuar urinë në Afrikë.

Kontinentit afrikan dhe komunitetit ndërkombëtar i bëhet thirrje të kërkojnë së bashku rrugët për të zbutur vuajtjet e të prekurve nga uria, tha zëvendësshefi i Unionit Afrikan, Erastus Mwencha gjatë një vizite në kryeqytetin somalez, Mogadishu.

Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara rreth 2,5 miliardë dollarë janë të nevojshme për të ndihmuar në mënyrë efektive të uriturit në Afrikën Lindore. Për shkak të thatësirave të gjata, rreth 12 milionë vetë rrezikohen nga uria, dhjetëra mijëra kanë vdekur ndërkohë.

Të prekur nga thatësira më e madhe që prej 60 vjetësh janë Etiopia, Kenia, Somalia, Xhibuti, Uganda dhe Sudani. /dw/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›