E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgatitja e protestave, Rama takime me vendorët dhe deputetët

Autori i Lajmit: S.T

Partia Socialiste ka nisur përgatitjet për tiu rikthyer protestave në rrugë. Në kuadër të këtij vendimi kryetari i selisë, Rozë, Edi Rama ka zhvilluar dje takime me deputetët e secilit qark por dhe krerët vendorë të PS-së. Këtë herë motivi i daljes në rrugë nuk do të jetën kutitë por akuzat ndaj Qeverisë për krizën ekonomike në vend por dhe cenimin e autonomisë vendore. Sipas kreut të Këshillit Drejtues të Shoqatës për autonominë vendore, njëkohësisht kryetar i bashkisë së Pogradecit, Artan Shkëmbi, Qeveria po përpiqet të importojë krizën ekonomike dhe financiare në kurriz të buxhetit të bashkive dhe të qytetarëve. “Qeveria Berisha me veprimet e veta antiligjore dhe antikushtetuese po cenon gjithnjë e më shumë pushtetin lokal, po përpiqet të importojë krizën ekonomike dhe financiare në buxhetet e bashkive dhe të qytetarëve të bashkive tona”, - deklaroi Shkëmbi, menjëherë pas mbledhjes që u zhvillua dje paradite në mbledhjen e bashkisë së Tiranës. Shkëmbi paralajmëroi protesta të pandalshme deri në momentin kur Qeveria të heqë dorë nga kërcënimi që po i bëhet autonomisë së pushtetit vendor dhe faturimit të krizës tek qytetarët. “Jemi mbledhur për ti thënë Kryeministrit Berisha dhe Qeverisë së tij se jemi gati të fillojmë protestat dhe protestat tona nuk do të ndalen deri atë ditë kur qeveria të kuptojë se çmimet më të rritura për qytetarët tanë dhe faturat e rënduara të qytetarëve tanë nuk mund të plotësojnë arkën bosh të Qeverisë dhe nuk mund të zgjidhin krizën financiare dhe institucionale të qeverisë Berisha”, - tha ai. Dy ditë më parë kreu socialist në një prononcim për shtyp bëri thirrje qytetarëve për protesta të pandalshme ndaj rritjes së çmimit të energjisë duke e cilësuar atë si një grabitje nga ana e Qeverisë.

Ky lajm është publikuar: 04/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›