E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgatitja për zgjedhjet, Rama mbledh drejtuesit e PS

Seminari ka si qëllim rritjen, funksionimin dhe përmirësimin e punës në strukturat e partisë
TIRANË- Partia Socialiste starton përgatitjet e saj për fushatën e ardhshme elektorale. Krahas vijimit të turit të "Dialogut me Shqipërinë", strukturat drejtuese të Partisë Socialiste në qendër dhe në bazë do të angazhohen për ti dhënë një ritëm tjetër çështjeve organizative dhe kontakteve me njerëzit në funksion të përgatitjes së infrastrukturës së duhur për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, që do të zhvillohen në vitin 2009. Për këtë qëllim selia rozë po organizon prej dy ditësh në qytetin e Durrësit një seminar me të gjithë drejtuesit e partisë në komuna dhe bashki. Seminari tre ditor, i cili po drejtohet nga kryetari i PS-së Edi Rama, ka si qëllim rritjen, funksionimin dhe përmirësimin e punës në strukturat e partisë në çdo qark me qëllim final përgatitjen e partisë për përballimin e sfidës së ardhshme zgjedhore me sukses, si një alternativë e besueshme për shqiptarët. Gjatë këtij seminari, Kryetari i Partisë Socialiste duke i shpjeguar edhe një herë sesi do të funksionoj më tej "Dialogu me Shqipërinë" u kërkoi të gjithë drejtuesve të PS-së të jenë më tepër aktivë në kontaktet dhe komunikimin më njerëzit, pavarësisht bindjeve dhe përkatësive partiake. Për këtë arsye, ai është shprehur i vendosur që të krijoj një aleancë politike që del jashtë kuadrit të opozitës së sotme dhe që në qendër të jetë padyshim bindja për ti kthyer fjalët në vepra. Duke e konsideruar shkëputjen e strukturës organizative të partisë nga shoqëria si një problem të mbarë politikës shqiptare, kryesocialisti ka theksuar se PS duhet të funksionojë më mirë, për tu bërë një forcë e besueshme jo vetëm për të fituar zgjedhjet, por edhe për të mbajtur premtimet. "Strukturat e partisë duhet të funksionojë mire për t'i dhënë kuptim politikës, duke ju folur qytetarëve dhe duke qenë pjesë e jetës së përditshme, e jo duke lejuar që ata të na shohin si diçka më vete, si diçka jashtë tyre", - u shpreh Rama. Gjithashtu ai i ka bërë të qartë vartësve të tij në bazë se është detyrë e tyre, që të bindin shoqërinë se PS do të fitoj jo si e keqja më e vogël por si alternative që do ti jap një tjetër fytyrë zhvillimit të vendit.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›