E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama online për "Dialogun me Shqipërinë"

Një herë në javë Rama do të bashkëbisedojë online me qytetarët në internet
TIRANË- Krahas bashkëbisedimit të drejtpërdrejtë në takimet që kreu i PS-së Edi Rama do të zhvillojë në teren në vijim të "Dialog me Shqipërinë", qytetarët shqiptarë do të kenë dhe një mundësi tjetër më të sofistikuar, për të kontaktuar me të në lidhje me problemet kryesore që po trajtohen në këtë tur. Partia Socialiste ditët e fundit ka krijuar një faqe të posaçme interneti për turin e "Dialogut me Shqipërinë". Kështu duke klikuar në adresën "ëëë.dialogumeshqiperine.com" çdo qytetar do të ketë mundësi të ndjekë të plota të gjitha aktivitetet e zhvilluara nga strukturat e partisë në kuadër të këtij turi, si dhe të marrë informacione të ndryshme në lidhje me synimin dhe ecurinë e etapave të mëtejshme të këtij dialogu. Në këtë faqe do të jetë një dritare e veçantë, ku në një ditë të veçantë të javës, kryesocialisti Edi Rama do të mund të bashkëbisedojë me të interesuarit rreth këtij turi. Një risi kjo sa i përket elementëve të "Dialogut me Shqipërinë", për të pasuruar dhe zgjeruar bazën e kontaktit me qytetarët. Ndërkohë që nga organizatorët e kësaj faqeje interneti është menduar që temat më interesante dhe mendimet më pikante të dhëna për çështje të ndryshme nga qytetarët gjatë komunikimit me kryetarin e PS-së në këtë kontakt online, do të përpunohen për t'iu bashkangjitur materialeve përmbledhëse të enciklikave të ndryshme të zhvilluara deri më tani. Një tjetër mundësi që u krijohet qytetarëve nëpërmjet kësaj faqeje interneti është dhe ajo e votimit apo e plotësimit online të pyetësorëve që PS-së ka përgatitur për të gjitha kategoritë shoqërore për çështjet që janë bërë pjesë e diskutimeve në këtë dialog. Ndërkohë që në hyrje të kësaj faqeje gjendet dhe një fjalë e shkurtër e vet kryesocialistit Edi Rama, ku dhe përmblidhet ideja dhe qëllimi i "Dialogut me Shqipërinë". Dialogu deri më tani ka diskutuar për 4 çështje dhe për muajt në vazhdim pritet të diskutojë dhe për çështjet sociale, shëndetësinë, infrastrukturën, rininë dhe turizmin.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›