Përgjaken rrugët, vdesin 3 vetë
SHKODER/ MAMURRASAksidente me pasojë vdekjen e tre personave dhe plagosjen e gjashtë të tjerëve ndodhën gjatë ditës së djeshme në disa akse të vendit. Ngjarjet më të rënda u shënuan në Mjedë të Shkodrës dhe në aksin Fushë Krujë-Mamurras. Sipas policisë, aksidenti i parë u shënua rreth orës 01:30 në aksin Kryebushat-Mjedë. Si rezultat i daljes nga rruga të një autoveture humbi jetën drejtuesi i saj, ndërsa u plagos pasagjeri që ndodhej në të. “Mëngjesin e së dielës, në vendin e quajtur Mjedë, ka dalë nga rruga duke rënë në një kanal vaditës automjeti tip “Benz”, me targa SH 7265 E, i cili drejtohej nga Astrit Demaj, 42 vjeç, nga Shkodra. Për pasojë ka gjetur vdekjen e menjëhershme Demaj si dhe është plagosur pasagjeri 49-vjeçar, M.Y.”, bëri të ditur policia. Sipas saj, ngrica ka bërë që vetura të rrëshqasë e të dalë nga rruga. Mësohet se i plagosuri ndodhet në spitalin e Shkodrës jashtë rrezikut për jetën. Po dje, rreth orës 16:50, në aksin Fushë Krujë–Mamurras ndodhi një aksident me pasojë vdekjen e një personi dhe plagosjen e të fejuarës së tij. Mjeti me targa të huaja, që drejtohej nga Luan Elezi, nga Tirana doli nga rruga në fshatin Luz i Krujës. Sipas policisë, mjeti ka humbur kontrollin, duke dalë nga rruga dhe është përplasur me kovën e një fadrome, në anë të një pikë karburanti. Për shkak të shpejtësisë, me gjithë përpjekjet për të frenuar ka qenë e pamundur të evitohej goditja. Për pasojë gjeti vdekjen shoferi Elezi si dhe u plagos rëndë e fejuara e tij, V.C., e cila ndodhet në spitalin ushtarak. Ndërkohë një tjetër ngjarje me pasojë vdekjen e një personi ndodhi dje në Durrës, në lagjen 17, në një segment që është vazhdim i unazës së re të qytetit. Në aksident u përfshi një kalimtar rreth 50 vjeç, i cili mbeti i vdekur në vend, si dhe pësoi plagë shoferi 52-vjeçar me inicialet A.D. i cili drejtonte mjetin me targë DR 2347 D. Sipas policisë, viktima nuk është identifikuar deri në orët e mbrëmjes. Një përplasje makinash, por fatmirësisht pa pasoja të rënda për jetën u regjistrua po dje, këtë herë në superstradën Fier–Lushnjë. Tre makina u përfshinë në aksident, në kohën kur njëra prej tyre do të parakalonte. Një 20-vjeçari me inicialet A.M. iu shkaktuan plagë të rënda, ndërsa lëndime patën dhe dy shoferët e tjerë. r.d/r.n