E Diel, 1 Nëntor 2026

Legalizimet, kompensohen 61 familje

 SHKODER - Procesi i legalizimeve ka bërë që të nisin kompensimet në zonën e Shkodrës. Janë rreth 61 familje shkodrane, të cilat përfitojnë nga faza e parë e kompensimit. Drejtori i Agjencisë Rajonale të Legalizimit, Agron Akshija pohon se këto kompensime bëhen në emër të familjeve përkatëse, nuk bëhet fjalë thjesht për një pronar të vetëm. “Familjet shkodrane nuk do të marrin të gjithë shumën njëherësh. Si fillim do të bëhet shpërndarja 25 për qind e shumës që përfitojnë në total. Pra, është kësti i parë”, sqaron Akshija. Në Shkodër është parashikuar që të përdoren rreth 9.8 milionë lekë nga fondi në total që po përdoret për kompensimet. Shuma që do të përdoret për kompensim është marrë nga fondi i ALUIZNI-t. Këtë vlerë kompensimi e kanë përfituar të gjitha ato familje, në pronat e të cilave është ndërtuar nga të tretë pa leje. “Bëhet fjalë për toka të zëna nga ndërtime, të cilat kanë hyrë në procesin e legalizimit. Agjencia e Legalizimeve ka dhënë miratimin që këto objekte do të legalizohen, ndaj dhe ka nisur një tjetër fazë e këtij procesi, kompensimi i pronarëve”, thotë kreu i ALUIZNI-t, Agron Akshija. Mësohet se tashmë është duke u hartuar lista përfundimtare dhe me daljen e vendimit në Fletoren Zyrtare, do të nisë dhe shpërndarja e lekëve. Por, procesi i kompensimit të pronarëve nuk ka mbaruar këtu dhe kjo listë prej 61 pronarësh nuk është e fundit. Me vazhdimin e procesit të legalizimit, paralelisht do të ketë kompensim të familjeve, në pronat e të cilëve është ndërtuar pa leje dhe ndërkohë këto prona legalizohen. “Ne si zyrë e ALUIZNI-t i kemi paralelisht të gjitha përgatitjet e dokumentacioneve përkatëse. Fazat e tjera të këtij procesi do të ecin më shpejt, pasi tashmë ecim në një rrugë të shkelur më parë”, shprehet Agron Akshija. Transparenca e këtij procesi, sipas drejtuesve të ALUIZNI-t, do të jetë maksimale, pasi çdo i interesuar mund të marrë të gjithë informacionin e duhur në çdo kohë.             r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›