E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presion ndaj arbitrit, anulohet 11-metërshi

 Leonard KarajDhunë fizike, ndërprerje e ndeshjes dy herë nga më shumë se 10 minuta, një penallti e dhënë si fillim dhe më pas e anuluar si dhe një gol që i dha tre pikë vendasve. Kjo është ajo çka dhuroi takimi i djeshëm i Kategorisë Superiore në Vlorë mes Flamurtarit dhe Besës së Kavajës. Gjyqtari elbasanas Remzi Sadiku dha tre vendime të ndryshme për të njëjtin rast: goditje këndi, penallti-goditje këndi, çka solli edhe reagimet e ashpra të dy stafeve, të cilat hynë në fushë, përfshirë dhe të deleguarit e FSHF-së. Gjithçka ndodhi në fundin e pjesës së parë, atëherë kur vlonjatët kryesonin falë golit të Shenajt në fillimin e ndeshjes. Në minutat e fundit, anësori i ndeshjes akordoi një 11-metërsh për Besën, pasi një lojtar i ekipit vendas preku dukshëm topin me dorë. Dhënia e penalltisë shkaktoi irritimin e vlonjatëve, të cilët nën drejtimin e shefit të klubit, Geri çipi dhe kryetarit të Bashkisë, Shpëtim Gjika, të cilët u futën në fushë, duke ushtruar presion ndaj gjyqtarëve të ndeshjes.Kjo situatë solli ndërprerjen e takimit për 12 minuta, ndërkohë që kryesori Sadiku nuk arriti të mbajë presionin duke anuluar 11-metërshin. Atëherë i erdhi radha kavajasve që të protestonin, të cilët braktisën fushën duke u futur direkt në dhomat e zhveshjes, pa ekzekutuar goditjen e këndit që u akordua nga gjyqtari Sadiku në vend të penalltisë. Në fillim u duk si një tërheqje e Besës nga fusha, por pas bisedave të drejtuesve të të dyja skuadrave kavajasit u rikthyen sërish në lojë. Në 45 minutat e dyta, ku tensioni ka qenë sërish prezent në fushë, rezultati nuk u ndryshua edhe pas përpjekjeve të kavajasve, të cilëve iu anulua edhe një gol për pozicion jashtë loje. Në katër takimet e tjera bie në sy fitorja në transfertë e Kastriotit në fushën e Skënderbeut të Korçës si dhe barazimi pa gola i durrsakëve në fushën e vështirë të Laçit. Ndërkaq Gramozit të Ersekës i mjaftoi një gol i mbrojtësit shkodran, Klodian Semina për të marrë tre pikë të arta ndaj skuadrës së Apolonisë së Fierit. Me këto rezultate është Teuta e Durrësit që parakalon Apoloninë si dhe Flamurtari e Gramozi të cilët lënë në vendin e fundit skuadrën e Skënderbeut. Gjithsesi duhet theksuar se korçarët kanë një ndeshje mangut, atë të javës së 16-të ndaj Besës e cila nuk u zhvillua për shkak të borës së rënë në Korçë. Takimi do luhet këtë të mërkurë. Ndërsa sot në orën 18:00 do të luhet edhe ndeshja e fundit e kësaj jave dhe më e rëndësishmja, derbi i kryeqytetit midis Tiranës dhe Dinamo. Bardheblutë kanë rastin më të mirë për të kaluar Besën e Kavajës në renditje në rast se arrijnë një fitore. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›