Tafaj-Muça, një derbi edhe në stol
Dikur ishin në një skuadër. Ai drejtues (Muça), tjetri futbollist (Tafaj). Sot do të jenë përballë, por si trajnerë. Që të dy njohin mirë si skuadrat por edhe njëri-tjetrin. Më i favorizuar disi duket Muça, kjo falë edhe eksperiencës por derbi nuk njeh parashikime. Ndaj edhe trajneri i Tiranës, Alban Tafaj e shikon si një sfidë që do të shkojë në fund në kahun bardheblu. “Ne duam ta fitojmë këtë takim për arsyen e vetme që të forcojmë pozitat tona në renditje. Sigurisht që Dinamo është e shkëputur dhe nuk e zbresim ne nga froni edhe në rast fitoreje. Megjithatë, nëse fitojmë siguroj se kampionati bëhet interesant dhe gara mund të sjellë surpriza në vazhdim. Gjithsesi, kjo ndeshje është e rëndësishme dhe ne jemi të motivuar për të marrë më të mirën nga kjo përballje, pasi Dinamo është një rival që duhet thyer. Kam shumë besim te skuadra ime”, ka pohuar Tafaj. Ndërsa në ndryshim nga ndeshja e fazës së parë ku fitoi bindshëm Dinamo, Tafaj pohon se këtë herë pavarësisht rezultatit do të ftojë Muçën për një kafe. “Uroj ta fitoj këtë ndeshje. Herën e parë nuk folëm mes njëri-tjetrit pas takimit, pasi gjykimi na nxehu shumë, por nëse fitoj do ta ftoj për kafe”, ka pohuar ai. Ndërkaq trajneri i Dinamos, Shkëlqim Muça, nuk e sheh përcaktuese derbin e sotëm ndaj Tiranës për të gjithë kampionatin. Megjithatë, edhe për të mbajtur në tonus skuadrën e tij, kërkon nga futbollistët që të mos kënaqen me barazimin. “Tirana është një kundërshtar i fortë, i cili na ndjek nga pas së bashku me Besën. është një ndeshje e fortë, por jo përcaktuese për sezonin tonë. Unë shpresoj që nga derbi të dalim ne me një rezultat pozitiv. Nisur nga diferenca e pikëve nuk duhet të hyjmë në fushën e lojës për një rezultat minimal, që është barazimi. Ne duhet të bëjmë ndeshjen tonë dhe të fitojmë”, ka theksuar Muça, i cili e do fitoren, pavarësisht nivelit të lojës që do bëjë skuadra e tij.