E Shtunë, 31 Tetor 2026

Defekt në linjën e tensionit, 3 rrethe pa drita

 KUKES – Një defekt në rrjetin e tensionit të lartë 110 kv ka lënë totalisht në terr qarkun e Kukësit. Të tre rrethet e tij, Kukës, Has dhe Tropojë nuk janë furnizuar me energji që nga paraditja e djeshme. Mësohet se defekti ka ndodhur rreth orës 10:00, në linjën Fierzë-Fushë Arrëz dhe dyshohet të jetë shkaktuar nga moti i keq i ditëve të fundit. Punonjësit e riparimit të avarive kanë dalë menjëherë në terren, por vendi i këputjes së përcjellësit është konstatuar se ndodhej mbi një përrua të thellë në Armeliska, duke e bërë tepër të vështirë ndërhyrjen në kohë, kushtëzuar dhe nga kushtet atmosferike. Për pasojë, të gjitha zonat që furnizohen prej kësaj linje janë pa drita. Përjashtim ka bërë pas 2 orësh spitali i Kukësit dhe lagjja përreth tij, të cilët janë furnizuar me gjysmë ngarkese nga një linjë që vinte nga Ulëza. Po nëpërmjet kësaj linje, në mbrëmje është mundësuar dhe disa lagje të qytetit të Kukësit të kenë energji, ndërsa të tjera dhe komunat të mbeten pa drita. E njëjta situatë e rëndë ka vazhduar për rrethet e tjera, ndërsa specialistët pohonin se po bënin të pamundurën, që pavarësisht kushteve, të riparonin defektin e të kthehej energjia.                                       j.h

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›