E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgjaket Pakistani

Persona të armatosur kanë sulmuar sot tri objekte të forcave të sigurisë në lindje të Pakistanit, ndërsa një sulmues vetëvrasës ka hedhur vetën në ajër në veriperëndim të vendit, aksione këto si pasojë e të cilave humbën jetën së paku 37 persona.

Në njërin prej sulmeve, militantët e armatosur sulmuan një qendër për trajnimin e njësive speciale, në afërsi të qytetit Lahore, përleshje kjo e cila zgjati disa orë. Forcat e sigurisë arritën të vrasin pesë sulmuesit dhe të çlirojnë një familje, të cilën militantët e kishin marrë peng.

Presidenti i Pakistanit, Asif Ali Zardari, theksoi se gjakderdhja, në të cilën është zhytur Pakistani gjatë 11 ditëve të kaluara, nuk do të frenojë përpjekjet e qeverisë për të çrrënjosur ekstremistët.

Armiku ka filluar një luftë guerile. I gjithë vendi duhet të jetë i bashkuar në këtë luftë kundër terroristëve dhe me vullnetin e Zotit, ne do ti mposhtim ata, theksoi ministri i Brendshëm i Pakistanit, Rehman Malik.

Vala e dhunës ndali të gjitha aktivitetet në Lahore. Zyrat e qeverisë u mbyllën dhe rrugët e qytetit ishin pothuajse të zbrazëta. Dhuna filloi në mëngjes, në momentin kur militantët sulmuan ndërtesën e Agjencisë Federative për Hetime.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›