E Shtunë, 31 Tetor 2026

Clinton preferon mburojë anti-raketore me Rusinë

Mburoja e përbashkëta anti-raketore e SHBA-së dhe Rusisë, e cila do të mbronte këto dy shtete nga ekstremistët të armatosur me armë bërthamore, do të ishte një gjë tejet pozitive, deklaroi sot Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton.

Nga këndvështrimi im, do të ishte ky një epilog pozitiv, nëse një ditë SHBA-ja dhe Rusia kumtojnë planin e tyre të përbashkët për mburojën raketore, tha Clinton, gjatë takimit që pati sot me studentët e Universitetit të Moskës.

Clinton nënvizoi se SHBA-ja dhe Rusia ndajnë vlerat thelbësore dhe se kanë nevojë për një sistem të përbashkët, për tu mbrojtur nga kërcënimi i sulmeve të mundshme nga ana e grupeve ekstremiste.

Kërcënimi më i madh, me të cilin përballet bota aktualisht, janë armët bërthamore në duart e një grupi të caktuar të njerëzve, të cilët mendojnë se martirizimi apo sulmet vetëvrasëse janë një mënyrë pozitive për ti dhënë fund jetës, theksoi ajo.

Sidoqoftë, Rusia deri me tani ka pasur një qëndrim skeptik ndaj planeve të SHBA-së dhe ka kundërshtuar fuqishëm planin e ish-presidentit amerikan, George Bush, për të stacionuar elemente të mburojës në Çeki dhe Poloni.

Administrata e Obamës hoqi dorë muajin e kaluar nga ky plan dhe e ka zëvendësuar atë me skemën e re për një sistem më mobil, për mbrojtje nga raketat me rreze të shkurtë dhe të mesme veprimi.

Clinton gjithashtu nënvizoi se prosperiteti i Rusisë varët nga vullneti i Moskës për të kultivuar lirinë, përfshirë këtu edhe lirinë për pjesëmarrje në procesin politik.

Qytetarët duhet të kenë mundësi që të ndihmojnë në formulimin e ligjeve, të cilat vlejnë për ta. Ata duhet të jenë të sigurt se paratë dhe prona e tyre do të mbrohen nga institucionet e qeverisjes, theksoi Clinton.

Porosia e saj për studentët duket se kishte për qëllim që të zbutë frikën e demokratëve liberalë në Rusi, se SHBA-ja nuk do të kërkojë llogari nga Moska për shkak të shkeljeve të te drejtave të njeriut, në shkëmbim për bashkëpunimin e Rusisë në lidhje me Iranin dhe Afganistanin.

Në një shoqëri të lirë, njerëzit duhet të jenë në gjendje që të sfidojnë abuzimet nga ana e autoriteteve. Kjo është arsyeja se pse sulmet në Rusi kundër gazetarëve dhe aktivistëve për të drejta të njeriut paraqesin një brengë të madhe: ngase këto gjëra rrezikojnë përparimin, tha Clinton.

Në fund, ajo ju kthye temës së preferuar të presidentit amerikan, Barack Obama, për nevojën për të lëvizur përtej Luftës së Ftohtë.

E kam zgjedhur partneritetin dhe kam vendosur të lë anash faktin se jam një fëmijë i Luftës së Ftohtë. Kam vendosur që të lëvizë përtej retorikës dhe propagandës, e cila ka ardhur nga dy qeveritë tona. Kam zgjedhur një ardhmëri tjetër dhe mezi pres që ta ndajë këtë ardhmëri me ju, tha Clinton.

Sot Sekretarja amerikane e shtetit vizitoi edhe qytetin e Kazanit, në Tataristan, në lindje të Moskës.

Clinton theksoi se ka vendosur ta vizitojë Kazanin, pasi që ka dëgjuar se është ky një qytet i bukur, në të cilin myslimanët dhe të krishterët jetojnë në paqe me njëri-tjetrin.

Me vizitën në Kazan, Clinton i dha fund turneut të saj pesëditor në Europë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›