“Përgjegjësia është e PS-së, jo e aleatëve për humbjen e kontrollit të qarqeve”

Paskal Milo u përgjigjet akuzave të “socialistëve të dëshpëruar”
Kreu i PDS-së, Paskal Milo, iu kundërpërgjigj deklaratave të deputetit socialist Erion Braçe, i cili ia faturoi përgjegjësinë e humbjes së kryesimit të pjesës më të madhe të këshillave të qarqeve, aleatëve të kësaj partie.
“Deputetët e nderuar të PS-së, sigurisht duke ndier humbjen e pamerituar të opozitës në zgjedhjet e qarkut të Vlorës apo dhe në ndonjë qark tjetër, siç mund të ketë qenë edhe ai i Beratit, nuk arrijnë dot të kontrollojnë emocionet dhe të bëjnë analizat që duhen bërë për këtë rast dhe kërkojnë ta transferojnë përgjegjësinë nga Partia Socialiste, si partia më e madhe e opozitës dhe që ka edhe numrin më të madh të përfaqësuesve në këshillat e qarqeve, te aleatët e tyre”, vuri në dukje Milo.
Sipas tij, kjo ngarkon me përgjegjësi jo aleatë e PS-së, por në radhë të parë vetë deputetët dhe strukturat e saj, pasi nuk ka ndodhur vetëm në Vlorë, por dhe në Berat.