E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria, me një disiplinë financiare që garanton rritjen dhe e imunizon nga kriza rajonale

26-10-2011 / Gazeta 55

Ministri i Financave Ridvan Bode komenton parashikimet e FMN-së për rritjen ekonomike të Shqipërisë, duke konfirmuar se “janë marrë masat që të mos prekemi nga kriza financiare rajonale”

Ministri i Financave, Ridvan Bode deklaroi të martën se, qeveria shqiptare ka marrë të gjitha masat në mënyrë që ekonomia shqiptare të mos ndiejë efektet e krizës së vendeve të rajonit. Gjatë një prononcimi për mediat, Bode siguroi gjithashtu se sistemi bankar në vend nuk është në rrezik nga kriza në këto vende. Lidhur me parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar për një rritje ekonomike për vitin 2011 më të vogël se sa parashikon qeveria, Bode tha se, ne i qëndrojmë parashikimit tonë për një rritje ekonomike prej 4 për qind për vitin 2011.
“Gjatë vitit 2011 ne i qëndrojmë parashikimit tonë për një rritje ekonomike prej 4 për qind. FMN parashikoi një rritje ekonomike për Shqipërinë gjatë vitit 2010 prej 1 për qind, por rezultoi se ekonomia shqiptare u rrit me 3.5 për qind gjatë këtij viti”, deklaroi Bode.
Lidhur me borxhin publik, Bode tha se, do të respektojmë këshillat e FMN-së për borxhin. “Janë marrë masa që borxhi publik të mos kalojë parashikimet e qeverisë shqiptare”, tha ai.
Në një raport të publikuar pak ditë më parë, FMN i rekomandonte qeverisë shqiptare të mos kalonte kufirin prej 60 për qind të borxhit publik, pasi ky nivel konsiderohet si rrezik për stabilitetin e ekonomive. Në po të njëjtin raport theksohej se ekonomia shqiptare mund të ndiente efektet e krizës në vendet e rajonit.
Kreu i Financave publike nuk e konsideron tabu rishikimin e buxhetit të shtetit për vitin 2011, kur niveli i të ardhurave të mbledhura gjatë kësaj periudhe është më i vogël se sa planifikimi në muajin korrik.
Ai tha se, “ne nuk parashikojmë të rishikojmë buxhetin e shtetit, pasi të ardhurat në buxhet edhe pse më të ulëta se sa planifikimi janë përsëri më të larta se sa para krizës globale”.
Sa i takon buxhetit të shtetit për vitin 2012, Bode tha se, drafti është drejt përfundimit dhe se ai parashikon ruajtjen e prioriteteve të qeverisë.
Deklarata e ministrit Bode u bë pas ceremonisë për shpërndarjen e certifikatave të titullit profesional “Ekspert Kontabël i Regjistruar” dhe “Kontabilist i Miratuar.
Gjatë kësaj ceremonie, ministri Bode tha se licencimi i ekspertëve të kontabilitetit është një nga reformat më cilësore të ndërmarra nga qeveria shqiptare. “Reformat në fushën e kontabilitetit janë mjaft të rëndësishme për të përmirësuar transparencën dhe për të luftuar korrupsionin”, tha Bode.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›