E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgjegjësja e ndihmave humanitare e OKB në Siri

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq tha se drejtuesja e OKB-së për të drejtat e njeriut Valerie Amos ka hyrë në Baba Amr, më parë një bazë e rebelëve sirianë, një javë pasi rebelët u detyruan të largohen nga qyteti si rezultat i sulmeve nga forcat qeveritare.

Zëdhënësi i organizatës Kryqit i Kuq në Gjenevë, Christian Cardon, i tha Zërit të Amerikës se zonja Amos sot iu bashkua një ekipi të Gjysmë Hënës së Kuqe Arabe në një vizitë 45 minutëshe në lagjet e shkatërruara në qytetin të Homsit. Cardon tha se ekipi i Gjysmë Hënës së Kuqe kishte vërejtur se shumica e banorëve të lagjes Baba Amr ishin zhvendosur në lagjet përreth ku ditët e fundit punonjësit e ndihmave shpërndanin ushqime dhe ilaçe.

Është hera e parë që qeveria siriane lejon një zyrtar të huaj ose punonjës ndihmash të hyjë në Baba Amr që kur filluan bombardimet në këtë distrikt në fillim të muajit shkurt. Aktivistët e të drejtave të njeriut dhe dëshmitarët thonë se sulmet kanë vrarë qindra njerëz dhe kanë shkaktuar mungesa të mëdha të artikujve ushqimorë, ujit dhe ilaçeve.

Valerie Amos tha se qyteti Homs dhe vecanërisht zona Baba Amr ishte shndërruar në një qytet fantazmë. Qyteti ishte tërësisht i shkatërruar prej bombardimeve dhe banorët e kishin braktisur plotësisht Baba Amr.

(ar.si/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›