E Diel, 1 Nëntor 2026

Pergjigja per 12 kushtet Berisha Javen tjeter ne Bruksel

Mes një kompromisi politik jo korrekt dhe shtetit të së drejtës, qeveria shqiptare ka zgjedhur këtë të dytën. Sali Berisha në mbledhjen e Këshillit Ndërministror për Integrimin, deklaroi se BE-së, Shqipëria i drejtohet si një shtet ligjor, i cili si në administratën zgjedhore ashtu dhe gjykatën e zgjedhjeve i dha vlerë çdo vote.

Duke komentuar për herë të parë vendimin e Kolegjit për Tiranën, kryeministri akuzoi opozitën se po ndërmerr fushatë denigruese kundër 5 gjyqtarëve që zbatuan kushtetutën.

“Nuk mund dhe nuk do të mundet kurrë dhe asgjë që të zëvendësojë funksionimin e shtetit ligjor, ta zëvendësojë me kompromise aprincipiale, zgjidhje te momentit. Midis alternativës së zgjidhjes politike dhe alternativës së zgjidhjes së shtetit ligjor, ne u përcaktuam për alternativën e shteti ligjor, se në të vërtetë zgjedhjet, më shumë se çdo tjetër, janë funksionim i shtetit ligjor. Nuk zgjidhet kurrë duke vendosur në epiqendër të një propagande, një grup gjykatësish që në këtë moment, në detyrën që u ka besuar shteti dhe shoqëria, janë në vendimet më të rëndësishme. Në nderim të kushtetutës së tyre dhe të parimit universal të numërimit të çdo vote  deklaruan se nuk mund të përjashtohet nga numërimi, as edhe një votë”-tha Berisha.

Komiteti shqyrtoi detajet e fundit të planit të veprimit për zbatimin e 12 rekomandimet e Komisionit Europian. Dokumenti do t’i dorëzohet zyrtarëve të Brukselit javën e ardshme. Shefi i qeverisë akuzoi opozitën se po bllokon qëllimisht ligjet që nevojiten për të përmbushur këto rekomandime.

“Të heqë dorë nga praktika se për opozitën është më mirë të bllokojë se sa të votojë, praktikë e cila në mënyrë absolute është tejet ditëshkurtër”-tha kryeministri.

Në prag të raportit 6 mujor për vizat, shefi i qeverisë vërejti se shteti shqiptar nuk ka shkelur asnjë rregull, por do të marrë sidoqoftë një fushatë intensive mediatike ndërgjegjësuese.

Elona Gjylmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›