Tri veta u shpëtuan nga policia dhe zjarrfikësit në Velabisht
Mungesa e një ure lidhëse mes dy fshatrave është bërë shkak që një furgon me pasagjerë të ngecë mes llucës dhe ujërave të lumit të Velabishtit, duke vënë në rrezik jetën e tre personave që ndodheshin në të. Ngjarja ka ndodhur pak pas mesditës së djeshme në fshatin Gjeroven, rreth dy km në jug të qytetit të Beratit. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se një furgon me targa të Beratit ka tentuar kalimin e lumit të Velabishtit, degë e lumit Osum, por ka ngecur në mes të ujërave të tij të rrëmbyeshëm, duke vënë në rrezik jetën e tre personave që udhëtonin me të. Banorët e kësaj zone e përshkojnë prej shumë vitesh këtë itinerar nëpër rrjedhën e lumit, për të kaluar nga një fshat në tjetrin, si pasojë e mungesës së një ure. Prurjet e shumta të ditëve të fundit kanë bërë që rrjedha e lumit të jetë shumë e fuqishme, për pasojë furgoni e ka pasur të pamundur kapërcimin e lumit dhe është bllokuar në mes të tij. Pas thirrjeve për ndihmë të shoferit të fugonit, në vendngjarje janë gjendur menjëherë fugoni i forcave të gatshme të Komisariatit të Beratit dhe një automjet zjarrfikës me gjithë efektivin e tij. Me ndërhyrjen e tyre, nxjerrja në njërin breg të lumit të Velabishtit u bë e mundur pas një kohe shumë të shkurtër. Burimet zyrtare pranë Drejtorisë së Policisë së Beratit konfirmuan për gazetën se ka qenë ora 14:00 e së hënës, kur zyra operative është informuar për ngjarjen dhe rrezikun që i kanosej furgonit dhe personave që udhëtonin me të, për të shkuar në fshatrat malorë të zonës së Shpiragut. Menjëherë drejt vendit të ngjarjes ka mbërritur grupi i gatshëm i policisë dhe një automjet i Repartit të PMNZSH-së së Beratit.
Mi. Ha.