Festivali, 26 filma në garë për “Gladiatorin e Artë”
Festivali Ndërkombëtar Veror i Durrësit (SIFF), rikthehet në edicionin e tij të tretë, me të tjera filma në garë, me të tjerë të ftuar, e pa dyshim në pritje të fituesve të radhës. Nga data 29 gusht-4 shtator 2010, amfiteatri i lashtë romak do të presë sërish publikun, por jo më të pasionuar pas ndeshjeve me gladiatorë e luanë, por pas filmit.
Ky edicion, i cili ka gjetur mbështetjen e Qendrës Kombëtare Kinematografike do të prezantojë për publikun shqiptar, por edhe atë të huaj, që do të jetë i pranishëm ditëve të Festivalit, produksionet më të rëndësishme të kinemasë bashkëkohore botërore. E veçanta e këtij edicioni nuk janë vetëm pjesëmarrësit dhe seksionet e reja që i janë shtuar, por edhe fakti që ai nuk do të kufizohet vetëm në Durrës. Festivali Ndërkombëtar Veror i Filmit do të shtrihet edhe në katër qytete të tjerë të Shqipërisë: në Tiranë, Vlorë, Pogradec dhe Sarandë, me një program special për këto qytete.
Mësohet, se në konkurrimin zyrtar do të prezantohen 26 filma artistikë, të përzgjedhur midis produksioneve më të spikatura të këtij viti. Për ta bërë festivalin më të larmishëm dhe për të ofruar më shumë mundësi për kineastët, organizatorët kanë menduar të shtojnë dhe dy seksione të reja, atë të “Dokumentarit Internacional”, si seksion jashtë konkurrimit dhe atë konkurrues të “Filmit të Shkurtër Shqiptar”. Në këtë seksion janë parashikuar të konkurrojnë plot 30 filma të shkurtër shqiptarë, duke u krijuar një mundësi më shumë, sidomos artistëve të rinj, të shfaqin krijimet e tyre dhe të afirmohen. Ndaj, edhe në fokus do të jenë kryesisht filmat e shkurtër, të realizuar në Akademitë Shqiptare të Filmit, qoftë ajo e Akademisë së Arteve apo “Marubi”. Ashtu si edhe në edicionet e shkuara, një seksion i veçantë i kushtohet retrospektivës, krijimtarisë së njërit prej regjisorëve më të njohur të kinematografisë botërore. Bëhet fjalë për regjisorin Kristaq Dhamo, prej krijimtarisë së të cilët janë përzgjedhur filmat më të mirë dhe më të dashur për publikun. Nuk do të mungojnë edhe “takimet e ngushta”, të cilat ofrojnë një fokusim në kulturën e një vendi evropian. është menduar që gjatë ditëve të festivalit të shfaqen filmat më të mirë të tre vjetëve të fundit, të prodhuar në këtë vend. Qëllimi është t´i mundësohet audiencës një njohje më e thellë mbi kulturën e atij vendi, si dhe njohje më nga afër me industrinë kinematografike që zhvillohet atje. Për vitin 2010, “Miku i Nderit” është Franca, që jo vetëm është atdheu i një prej festivaleve më të rëndësishme të filmit në botë, ai i Kanës, por ka edhe një industri filmike të zhvilluar dhe një krijimtari tejet interesante, ndryshe nga çdo vend tjetër europian.
Festivali
Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Durrës u themelua në 2008 me mbështetjen e Qendrës Kombëtare Kinematografike dhe Bashkisë së Durrësit. Edicioni i tretë i tij do të mbahet nga data 29 gusht - 4 shtator 2010, jo vetëm në qytetin e Durrësit, por edhe në Tiranë, Vlorë, Pogradec. Sipas organizatorëve, ky festival ka për qëllim të vendosë lidhje të forta midis Shqipërisë dhe shteteve të saj fqinje ballkanike, por edhe më gjerë, në Evropë. Do të promovojë prodhimet më të mira kinematografike, jo vetëm jashtë, por edhe brenda vendit, ndonëse prodhimtaria shqiptare është e pakët. Edhe këtë vit filmat do të konkurrojnë në seksionet vizione bashkëkohore, të cilat tentojnë të tregojnë shumëllojshmërinë e mënyrave të të shprehurit në kinematografi. Seksioni do të përfshijë 14 filma bashkëkohore evropianë. Një seksion tjetër është “Botë ballkanike”, dedikuar filmave të gjatë narrativë, të ardhur nga rajoni i Ballkanit, përfshirë dhe Turqinë. Përzgjedhja e 12 filmave do t´i tregojë audiencës krijimtarinë në fushën kinematografike të këtyre vendeve.
Seksioni i filmit të shkurtër futet për herë të parë në konkurrim këtë vit, ku konkurrojnë 30 filma, krijime të studentëve nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia. Filmi fitues i vlerësuar nga juria kryesore dhe ajo e studentëve do të shfaqet në TVSH dhe RTK. Sigurisht, që nuk do të mungojnë edhe seksionet jashtë konkurrimit, ku do të shfaqen tre nga filmat më të mirë të sezonit, pavarësisht nga origjina e tyre, apo dokumentarë të ndryshëm. “Tingujt muzikorë” është një program special i festivalit, dedikuar rolit kryesor të kompozimit në film, duke i dhënë jetë dhe emocion imazhit kinematografik. Programi, çdo vit nderon një kompozitor që ftohet për të mbajtur leksione në Durrës. Natën finale do të ndahen edhe çmimet e festivalit. Një vit më parë, çmimi i madh, “Gladiatori i Artë” i shkoi filmit “La Pivellina” me regji të Tizza Covi, Rainer Frimmel. Filmi më i mirë ballkanik u shpall filmi “Three Monkeys” me regji të Nuri Bilge Ceylan. çmimi special i jurisë i shkoi filmit shqiptar “ALIVE!” (“Gjallë”) me regji të Artan Minarollit, ndërsa regjisori më i mirë u shpall Stefan Komanderev për filmin “Bota është e madhe dhe shpëtimi fshihet diku afër”. “Pjata e Argjendtë” e Durrësit i shkoi regjisorit italian, Paolo Sorrentino, ndërsa çmimi i i karrierës iu dha regjisorit shqiptar, Dhimitër Anagnosti.
Në seksionin e “Filmit të Shkurtër Shqiptar” janë parashikuar të konkurrojnë plot 30 filma të shkurtër shqiptarë, duke u krijuar një mundësi më shumë, sidomos artistëve të rinj, të shfaqin krijimet e tyre dhe të afirmohen. Ndaj, edhe në fokus do të jenë kryesisht filmat e shkurtër, të realizuar në Akademitë Shqiptare të Filmit, qoftë ajo e Akademisë së Arteve apo “Marubi”. Ashtu si edhe në edicionet e shkuara, një seksion i veçantë i kushtohet retrospektivës, krijimtarisë së njërit prej regjisorëve më të njohur të kinematografisë botërore